Pasi që përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokat Besnik Berisha për shkaqe personale kishte njoftuar gjykatën se nuk do të mund të jetë i pranishëm në seancën e sotme, e dëmtuara L.H ka kërkuar të shtyhet gjykimi ndaj ish-policit Fatlum Mehmeti. Ky i fundit akuzohet për vrasjen e policit L.H në shkurt të 2022-ës, në një organizim shoqëror në Zllatar të Prishtinës.
E dëmtuara L.H njoftoi gjykatën se mbrëmë ka kontaktuar me avokatin Berisha dhe është njoftuar se i njëjti nuk do jetë i pranishëm në këtë seancë, e sipas saj është e domosdoshme prezenca e tij për mbajtjen e shqyrtimit andaj ka kërkuar shtyrjen e të njëjtit.
Gjithashtu kryetari i trupit gjykues Kushtrim Shyti deklaroi se avokati Berisha i ka njoftuar sot në mëngjes se nuk do të mund të jetë i pranishëm në këtë seancë për shkaqe personale.
Andaj në rrethana të tilla, trupi gjykues pas këshillimit vendosi të aprovojë kërkesën e palës së dëmtuar dhe seanca e sotme është shtyrë për datën 24 maj të këtij viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e sotme ishte i pranishëm prokurori i shtetit Ilaz Beqiri dhe tre dëshmitarët F.A, L.T, dhe I.S.
Përndryshe i akuzuari Mehmeti më 14 prill të këtij viti është deklaruar i pafajshëm se nga “dashja eventuale” kishte vrarë policin L.H, në shkurt të 2022-ës, në një organizim shoqëror në Zllatar të Prishtinës.
Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohet se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.
Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, Elit Thaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimi dhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” 9mm, deri sa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendosë atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heqë karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet tani të ndjerin L.H. në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse.
Andaj, me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje eventuale” nga neni 172 lidhur me nenin 21 par.3 të Kodit Penal.