Komuna e Fushë Kosovës dhe ajo e Malishevës e kanë shtyrë procesin mësimor, i cili duhej të fillonte nesër.
Drejtoria për Arsim në Komunën e Fushë Kosovës njoftoi se gjysmëvjetori i dytë do të nisë më 19 janar.
“Ky vendim është marrë si pasojë e gjendjes aktuale të shkaktuar nga kushtet atmosferike, ku reshjet e shiut dhe borës kanë vështirësuar edhe qarkullimin. Si dhe duke marrë parasysh vështirësitë në sigurimin e ngrohjes në disa institucione arsimore. DKA ka vlerësuar se nuk janë krijuar kushtet minimale për zhvillimin normal të procesit arsimor. Ky vendim është marrë në funksion të sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor, si dhe për të garantuar mbarëvajtjen e rregullt të procesit mësimor. Luten drejtuesit e institucioneve arsimore që të njoftojnë me kohë stafin mësimdhënës dhe prindërit për këtë vendim”, thuhet në njoftim.
Ndërsa në Malishevë, procesi mësimor u shty për dy ditë – deri më 14 janar.
“Duke u bazuar në reshjet e fundit gjatë vikendit të cilat e kanë rënduar situatën në terren përgjatë gjithë komunës sonë dhe kanë dëmtuar shumë rrugë dhe infrastrukturën rrugore, ju njoftojmë se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 do të bëhet me 14 janar 2026”, thuhet në njoftime Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë.
Kjo komunë ka qenë ndër zonat më të prekura nga vërshimet e ditëve të fundit.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) e kishte shtyrë fillimin e procesit mësimor deri më 12 janar 2026, pikërisht për shkak të vërshimeve dhe situatës së rënduar në shumë komuna të vendit.


















