Shtrenjtohen derivatet në Kosovë

E publikuar: 08/08/2017 22:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Çmimi i derivateve në Kosovë është ngritur kohëve të fundit. Në fakt, nga java e kaluar e deri më tash, këto çmime veç janë rritur për nga 0.3 cent, respektivisht 0.4 cent. Në shoqatën e naftëtarëve kanë treguar për Express se kjo ngritje e çmimeve ka ardhur si shkak i berzës ndërkombëtare.
Qytetarët e Kosovës me fillimin e kësaj jave janë duke paguar më shumë për derivatet që i harxhojnë veturat e tyre.

Çmimi i naftës dhe benzinës ka shënuar rritje në vend.

Fadil Berjani, kryetar i shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, ka treguar për Express se çmimet kanë pësuar disa ndryshime këto ditë.

“Aktualisht çmimet në Kosovë janë për naftë 1.03 cent dhe për benzinë 1.06 cent. Këto çmime javën e kaluar kanë qenë 0.99 cent dhe 1.02 cent”, ka thënë ai.

Berjani ka treguar se ngritja e çmimeve ka ardhur si shkak i ngritjes se çmimit për arin e zi në berzën ndërkombëtare.

“Ka pasur ngritje në berzën ndërkombëtare dhe kjo ka ndikuar edhe tek ne. Por, tek ne kjo ndodh vetëm kur është çështja e ngritjes së çmimit, jo edhe tek ulja e tyre. Këtë e bëjnë tregtaret pasi Kosova s’ka rregullator të çmimeve”, ka thënë Berjani.

Ai ka bërë me dije se Kosova urgjentisht duhet ta ketë një rregullator te tregut, pasi që, sipas tij, me këtë do të këtë edhe çmime më reale të derivateve për qytetarët e Kosovës. /Gazeta Express/