‘Shtimi’ i numrit të veteranëve rrezikon buxhetin e shtetit

E publikuar: 29/09/2016 11:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rritja e numrit të përfituesve nga skema e transfereve sociale për veteranët e luftës të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e rrezikon buxhetin e shtetit, duke e futur në deficit buxhetor dhe duke shkurtuar mundësit për investime në ekonomi, thonë ekspertë të fushës.

Rrezikun nga deficiti buxhetor e ka paralajmëruar së fundi edhe Banka Botërore, e cila në prezantimin e një raporti të saj vë në pah se nga skemat sociale për veteranët e luftës janë shtuar presionet fiskale dhe ka shtyrë deficitin në rreth 2.5 për qind të bruto produktit vendor.

Numri i veteranëve të luftës, regjistrimi i të cilëve filloi pak kohë më parë, ka qenë temë debati për një kohë të gjatë në Kosovë ndërmjet një Komisioni qeveritar dhe përfaqësuesve të Shoqatave të Veteranëve dhe të Invalidëve të luftës.

Sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar që ka bërë verifikimin e statusit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, numri i veteranëve ka arritur në rreth 60 mijë, në shifër kjo e diskutueshme për një numër Shoqatash të Veteranëve.

Rreziku nga deficiti buxhetor është parë si shqetësues edhe nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, që thonë se duhet gjetur një zgjidhje përmes verifikimit të saktë të veteranëve.

Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se së shpejti të gjitha palët që janë të përfshira në çështjen për veteranët e luftës do të ulen të diskutojnë për të bërë një zgjidhje rreth situatës së krijuar.

“Vërejtja nga Banka Botorë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar është tepër serioze, sepse ne rrezikojmë të humbim qindra mijëra euro grante që parashihen të jepen për Qeverinë, që do të shkojnë në zhvillim ekonomik, shëndetësi dhe fusha tjera. Ne mendojmë që këto palë brenda dy jave do të ulen dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë.”

“Ne, si Ministri e Punës, e vetmja detyrë që na mbetet është që të ulemi dhe të jemi të gatshëm ose për ndryshim të ligjit të veteranëve të luftës ose për një marrëveshje që ka të bëjë me dhënien e pensioneve vetëm atyre njerëzve që verifikohen saktësisht se kanë qenë veteran të luftës”, thekson Hajzeraj.

Por, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fajin e kanë hedhur tek Qeveria e vendit.

Xhevdet Qeriqi, përfaqësues i shoqatave, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se “nuk janë veteranët që rrezikojnë buxhetin e shtetit, por janë përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës të cilët, siç thotë ai, kanë fryrë listat e veteranëve”.

“Ne nuk e shohim që buxheti po rrezikohet nga veteranët e luftës…buxheti po rrezikohet nga Qeveria e Kosovës, pasi që është Qeveria ajo e cila ka formuar një Komision për verifikimin e veteranëve të luftës së UÇK-së, dhe çka ka ndodhur, ky komision e ka rritur numrin e veteranëve, janë fryrë listat dhe përgjegjëse për këtë është Qeveria e cila nuk e ka kryer punën si duhet”, thotë Qeriqi.

Megjithëkëtë, deficiti prej 2.5 për qind të bruto produktit vendor të Kosovës po shihet si mjaft i rrezikshëm për buxhetin e shtetit nga drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi.

“Është i rrezikshëm për faktin se ky 2.5 për qindëshi përsëritet për secilin vit për shkak të numrit të njerëzve që përfitojnë nga skemat sociale dhe për më keq është një presion i vazhdueshëm në buxhetin e vendit dhe krejt ky presion mund të tejkalohet, përkatësisht, mund të kënaqen kërkesat duke shkurtuar shpenzimet tjera, në këtë rast duke dëmtuar zhvillimin e vendit”, thekson Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Nga buxheti i Republikës së Kosovës, në vit, për personat të cilët hyjnë në skemën e kategorive sociale, të krijuar nga Qeveria e Kosovës, ku hyjnë edhe veteranët e luftës, ndahen mbi 350 milionë euro.

Kjo shumë vlerësohet të jetë një barrë e madhe për buxhetin e shtetit, i cili arrin në një vlerë prej pak më shumë se 1 miliard e 680 milionë euro.