25.463 është numri paraprak i veteranëve të UÇK’së të dala nga ky verifikim, por pa futur këtu veteranët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së dhe batalionit “Shigjeta” që ende nuk i publikuan listat.
Kjo shifër tejkaloi edhe parashikimet e krerëve të UÇK’së, të cilët dhjetëra herë kishin deklaruar se numri i luftëtarëve të UÇK’së nuk do ta kalonte 20-mijëshin, raporton KTV.
Por numri doli edhe më i madh se sa kishin paraparë edhe vetë institucionet e Kosovës në momentin e hartimit dhe fuqizimit të Ligjit për veteranët.
Janë 25 milionë euro që Qeveria tashmë i ka ndarë për të jetësuar këtë ligj, por që duket të jenë minimal për të mbuluar nevojat financiare.
Profesori universitar, Muhamet Sadiku, thotë se me këtë numër të veteranëve qeverisë do t’i duheshin minimumi 60 milionë euro për ta zbatuar ligjin.
Ndonëse ligji u miratua nën vëzhgimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja e kostos për implementimin e tij mund të acarojë marrëdhëniet e saj me Qeverinë.