Shtetasit turq kanë leje qëndrimi në Kosovë, ja faktet

E publikuar: 29/03/2018 14:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

​Pasi dështuan përmes ekstradimit, autoritetet kosovare përmes deportimit po i binden kërkesës së Presidentit turk Erdogan, që t’ia dorëzojë në Turqi mbështetësit e Fetullah Gulenit, që ndodhen në Kosovë.

Pesë shtetas turq janë arrestuar mëngjesin e të enjtes. Derisa, aksioni i policisë ndaj të tjerë shtetas turq që ndodhen në Kosovë po vazhdon, dhe janë vënë në kërkim të tyre, Ministria e Brendshme u ka revokuar të arrestuarve leje qëndrimin në Kosovë.

Arsyetimi i MPB’së për pesë shtetasit turq që drejtojnë një rrjet shkollash të njohur në Kosovë, “Mehmet Akfif”, ka qenë gjoja për arsyeje të sigurisë, por pa dhënë më shumë informacione.

Të arrestuarit, deportimi i të cilëve po pritet të bëhet, janë Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Cihen Ozkan dhe Hasan H. Gunakan.

Gazeta Express ka siguruar leje qëndrimet e këtyre personave, në të cilat kanë shihet se kanë afat. Madje, disave prej tyre koha e skadimit u shënon deri më së largu në vitin 2022.

Vetëm shtetasi turk Erdem Mustafa, sipas leje qëndrimit ka pasur në prag skadimin e dokumentit. Leje qëndrimi i tij do të bëhej i pavlefshëm tek javën e ardhme, më 06 prill 2018. Por, sipas dokumenteve tjera përcjellëse del se ai ka kryer procedurat për vazhdimin e qëndrimit në Kosovë, dhe është në pritje të dokumentetit të ri.

Këta drejtues të institucioneve shkollore turke në Kosovë, janë identifikuar nga Turqia si mbështetës të Fetullah Gulen, kundërshtarit të Presidentit Erdogan. /GazetaExpress/.