Veterani i librit Fehmi Halimi nga Gjilani u bë gjatë kësaj jave me shtëpizë të re për shitjen e librave.
Kjo meqë Komuna e Gjilanit dhe Klubi Rotarian “Gjilani” ndërtuan një objekt enkas për këtë gjë i cili u vendos në qendër të qytetit.
Halimi, që ka mbi 50 vjet që merret me libra, ndjehet i nderuar me përkrahjen që mori.
“Ky është lajm i mirë për librin. E kam bërë bartjen e librit, shpërndarjen dhe mbrojtjen nga shiu që është shumë e vështirë të ruhet, sepse një rigë shiu me i ra prishet”, ka theksuar Halimi.
Ndërtimi i shtëpizës kushtoi rreth 2000 euro, ndërsa të tilla u premtuan edhe në pjesë tjera të qytetit.
Adhuruesit e librit nga Gjilani në këtë shtëpizë mund t’i blejnë librat, apo edhe t’i marrin për shfrytëzim dhe t’i kthejnë më pas të njëjtit.

















