Qeveria e re e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen përuruese dhe njëherësh mbledhjen e parë, në të cilën ka marrë shtatë vendime.
- Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është krijimi i bazës së nevojshme ligjore, që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian, në vlerë prej 882.6 milionë euro, që ofrohen brenda këtij instrumenti për reforma dhe rritje;
- Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e Parë për “ Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrushmërinë dhe Rritjen e Gjelbër” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Bankës Botërore);
- Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Marrëveshja ka për qëllim përshpejtimin e përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, integrimit ekonomik rajonal, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në, duke plotësuar fondet e instrumentit të para anëtarësimit (IPA);
- Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin KOMPAS – Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për Forcimin e Sistemit të Shëndetësisë. Kjo marrëveshje është mbështetje ndaj sektorit shëndetësor në Kosovë si pjesë edhe e programit qeverisës. Ka vlerën 18.6 milionë euro, dhe kushtet janë të ngjashme sikurse ajo për edukimin në fëmijërinë e hershme;
- Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “ Edukimi në Fëmijërinë e Hershme dhe Kujdesi për Kapitalin Njerëzor të Kosovës. Ministria e Financave bashkë me Bankën Botërore, ka nënshkruar marrëveshjen e kredisë për projektin Edukimi në Fëmijërinë e Hershme dhe Kujdesin për Kapitalin Njerëzor në Kosovë;
- Miratuar Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, në vlerë prej rreth 4 miliardë euro;
- Miratuar kërkesën ndaj Kuvendit, që përmes një vendimi të autorizojë zgjatjen e zbatimit të Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit të kaluar fiskal, edhe për muajin mars 2026.


















