Ruben AvxhiuRuben Avxhiu
Nuk dihet se çfarë do të ndodhë në Maqedoni në ditët, javët dhe muajt e ardhshëm.
Në pak ditë regjistrimet telefonike të bisedave mes figurave kryesore të politikës së vendit kanë treguar abuzimin që është bërë në krye të pushtetit.
Gruevski nga strategjist vizionar që e paraqiste veten po del udhëheqës i një klike që ka vjedhur vota hajdutë ordinerë dhe kanë dhunuar ata që kanë guxuar t’u dalin kundër.
Opozita social-demokrate nuk është ndonjë model politik për t’u pasur zili, po në krahasim me rrënimin moral e ligjor të partisë në fuqi, Maqedonia duhet të shohë patjetër një ndryshim politik. Në rast të kundër vendi do të ecë drejt diktaturës së sigurt.
Po shqiptarët?
Në dy ditët e fundit ka filluar të dalë në pah, ajo që në fakt pritej nga të gjithë. Që shqiptarët ndonëse jo në role udhëheqjeje kanë qenë pjesë e këtij abuzimi të turpshëm. Akoma më keq, në të është përfshirë edhe PDSH, partia në opozitë, e cila duhej të vigjëlonte kundër abuzimeve nga pushteti.
Shqiptarët në këtë mënyrë janë tradhëtuar nga të dy krahët. Nga njerëzit që i kanë përfaqësuar në pushtet dhe nga ata që kanë luajtur rolin e opozitës së rreme.
Maqedonasit mund të vendosin që të mbeten përsëri me mashtruesit në pushtet, ose mund të vendosin për ndryshim. Sidoqë të zgjedhin shqiptarët nuk duhet të kenë dyshime se klasa e tyre politike duhet transformuar.
Ndryshime të rëndësishme kanë ndodhur në çdo dekadë në politikën e Maqedonisë. Që nga fillimet pluraliste dhe shpalljen e pavarësisë maqedone, te dalja në skenë e Arbën Xhaferit, te plejada e politikanëve që dolën nga UÇK.
Por koha ka ardhur për një ndryshim të rid he ky duhet të vijë pa ekuivokë.
Një diktaturë dhe një shtet me klikë të korruptuar e kriminale, herët a vonë do të vijë për t’i përdorur shqiptarët si mollë sherri për të shmangur vëmendjen nga vetja. Sot, tiradat nacionaliste maqedonase kanë të drejtuara, jo pa të drejtë, për nga Greqia. Mirëpo, një vend diktatorial, apo ku sundon një demokraci joliberale, herët a vonë do të kthehet për ta bërë komunitetin shqiptar si “delen e zezë” për të trembur votuesit.
Nuk ka të ardhme për shqiptarët në Maqedoni, nëse kjo nuk bëhet një vend i demokracisë liberale europiane. Askush të mos gënjehet nga paqja e përkohshme.
Shqiptarët mbi të gjitha meritojnë një udhëheqje që nuk është e kapur peng në këtë shkallë. Meritojnë udhëheqëz që “deri në vdekje” do të qendrojnë për idealet e popullit të tyre e jo për aleancat me pushtetin politik.
Asnjë ndryshim kaq masiv nuk është i lehtë dhe nuk vjen pa dhimbje. Shoqëria do të traumatizohet përsëri e nuk do të jetë e lehtë. Po në kohë të tilla shfaqet udhëheqësit e vërtetë.
Si do të dalë ky brez i ri udhëheqësish.
1) Figura të reja, me parti politike të reja, me lëvizje ekzistuese që hyjnë në politikë apo ushqejnë parti të reja.
2) Me parti të vogla ekzistuese që filluan të dalin në Maqedoni në këto pesë vitet e fundit, po që u rrënuan mesa duket në një garë të pabarabartë e të pandershme. (Shkruan Izet Zeqiri në Facebook: “O Rufi Osmani kot paskemi dhene doreheqje per arsye ETIKE, morale krejt paska qen manipulim zgjedhore, falsifikim, vjedhje dhe dhunim institucional.
Duhet me u kthy dhe me u tregu edhe njehere shqiptareve se cka mundet te bejme NE per ATA se kan mbetur jetim”.)
3) Duke ndryshuar udhëheqjet në BDI dhe PDSH se këto parti nuk do të zhduken me një lëvizje të dorës. Në këto pika duhet të jemi realistë. Jo të gjithë anëtarët e këtyre partive janë automatikisht të korruptuar dhe as nuk do të anullohen këto parti nga realiteti politik.
Përkundrazi, ato do të përpiqen të minimizojnë goditjet dhe të rikthehen.Mbështetja për këto parti vjen edhe në formë lidhjesh familjare, interesa punësimi e biznesi, etj. Këto lidhje nuk do të priten për shkak të zbulimeve se nuk ka qenë morali baza e krijimit të tyre.
Zhgënjime të tilla masive sjellin edhe një prirje për ekstremizma politike, të cilat duhen peshuar mirë që të mos ketë aventurizëm, por njerëz realë me vizion dhe përgjegjësi për shqiptarët, për shtetin, për botën shqiptare e për të drejtat e njeriut.
Shqiptarët nuk duhet të jenë shërbëtorët e askujt në Maqedoni. Është shteti i tyre po aq shumë sa i maqedonasve. Kjo vlen edhe për udhëheqësit e shqiptarëve.
Në ditët që vijojnë, do të dalin edhe më shumë të palara. Koha për një udhëheqje të re shqiptare ndërkohë ka nisur. Ideale do të ishte që BDI dhe PDSH te bëheshin pjesë e ndryshimet duke filluar nga vetja e në mos jo, le të hapin rrugën. Koha nuk kthehet dot më pas./http://illyriapress.com/
Shqiptarët në Maqedoni meritojnë një gjeneratë tjetër udhëheqësish
NGA KATEGORIA