Nga Fadil Lepaja
“Vëllai” i madh i Edit shkoi, kaloi në tranzitin politik të Tiranës për në Beograd, por pas vetes la shumë pluhur. Komuniteti Mysliman në Shqipëri u trazua skajshëm, me ose pa të drejtë, por në fund të fundit, asgjë rreth islamit nuk kalon ndër ne pa turbulenca të fuqishme politike…
Shqipërisë, xhaminë e namazgjasë; Serbisë,
U qetësuan gjakrat, u shuan pak edhe pasionet. “Vëllai” i Edit shkoi. Siç e dini, Edi ka disa vëllezër politikë në rajon. Ka edhe miq, dhe këta të fundit janë kryesisht shqiptarë. “Vëllezërit” nuk janë shqiptarë. Nuk është vëllazëri gjaku, siç pretendon Albini; vëllazëria e tij është fetare. Vëlla me të gjithë. Kur ta kesh parasysh se Shqipëria është një vend laik, kjo kërkon një sforcim serioz për ta kuptuar këtë përqendrim të (pa)qëllimshëm të institucioneve dhe organizatave fetare në Tiranë.
Pastaj, duke e ditur se Edi, as si socialist, nuk ja thotë shumë nga kjo anë, atëherë mbetet për ta kuptuar krejt këtë si një tendencë për t’i kontrolluar dhe baraspeshuar religjionet e mëdha në Shqipëri, pasi Enver Hoxha, “zoti” në tokë i socialistëve shqiptarë, nuk kishte arritur t’i shuaj ato me diktaturën e proletariatit. Nëse nuk i mund dot, bashkangjitu, porosiste dikur një hero i filmave vizatimorë me të cilët u rrit gjenerata ime.
Teoria e kaosit të kontrolluar, baraspesha e ndikimit të religjioneve të mëdha në lagjen e vogël shqiptare në Ballkan, është sfida e madhe të cilën Edi duket se po përpiqet ta përballojë, duke e përdorur energjinë e tyre për konfrontim por edhe bashkëpunim. Sido që të bëhet, ai e merr publicitetin. I keq apo i mirë, Edi nuk ja sheh dhëmbët publicitetit, sipas parullës “se publicitet të keq nuk ka”.
Askush nuk e di, a është kjo vetëm edhe një përformancë politike e tij, e cila do të mbyllet sapo të ketë arritur qëllimet mediatike, apo vërtetë në Shqipëri po formësohet një vorbull e cila do të mikësojë kulturat dhe besimet të cilat historia i takoi dhe i mbajti në trojet tona. Ky gjithsesi do të ishte një projekt kolosal të cilin vështirë ta ketë menduar edhe mendja e ndritur politike e këshilltarëve të Edit, por pos “vëllezërve” dhe “miqve”, në politikë duket se Edi mund të ketë edhe “prindër politikë”… të cilët ja hapin rrugën me eskavator.
Nejse, të kthehemi në temë, “vëllai” i madh i Edit shkoi, kaloi në tranzitin politik të Tiranës, por pas vetes la shumë pluhur. Komuniteti Mysliman në Shqipëri u trazua skajshëm, me ose pa të drejtë, por në fund të fundit, asgjë rreth islamit nuk kalon ndër ne pa turbulenca të fuqishme politike.
Pra, para, gjatë dhe pas kësaj vizite të paralajmëruar, e cila kaloi me publicitetin maksimal, ku Erdogan promovoi Xhaminë e Madhe të Namazgjasë, dhe Edi njohu pronësinë e kësaj toke edhe për komunitetin Islamik, debatet ishin dhe vazhdojnë të mbeten të zjarrta, ashtu si po rrjedh edhe në Kosovë një përleshje e zhurmshme ideologjike në mes të ekstremistëve islamikë dhe lëvizjes po aq ekstreme për konvertim nga islami në krishterim.
Krejt kjo po ndodhte para vizitës së presidentit turk në Serbi, ku vetëm pak ditë më vonë do të bëjë marrëveshje të fuqishme ekonomike, përfshi edhe ato për prodhimin e përbashkët të dronëve “Bajraktar”, nga të cilët Shqipëria tashmë ka blerë 3, ndërsa Kosova 5. Serbia do të ketë fabrikën e dronëve, pasi industria ushtarake serbe është e vetmja në rajon e cila ka kapacitete të respektueshme krahasuar me industrinë ushtarake turke e cila paraqitet e respektueshme edhe në përmasa globale.
As ne nuk jemi ndarë pa gjë, pasi na mbeten si ngushëllim donacionet në formën e xhamive, nga ndërtimi i të cilave përfituan edhe liderët fetarë dhe bizneset e afërta me to. Tani, investimi milionësh në Xhaminë e Madhe në Tiranë, ndoshta me të drejtë pritej të kurorëzohej me një njeri, imam turk në krye të saj, i cili përfaqëson më së miri idetë dhe synimet e investitorit. Ndoshta nuk mund të quhet investim, pasi investimi synon profit, ndërkaq ky është vetëm një investim “shpirtëror”. Kjo i bie se rruga për te Perëndia, kalon përmes Stambollit, më saktë përmes Ankarasë.
“Transversalja e gjelbër” për të cilën e kanë akuzuar Turqinë se po e ndërton në Ballkan, në fakt po bëhet realitet dhe ajo, edhe pse në përmasa më të vogla, është analoge me “rrugën e mëndafshit”, që po e ndërton Kina drejt Evropës.
Kur flasim për një botë të hapur dhe për globalizmin, vështirë se mund të gjykojmë ata që ndërtojnë rrugë dhe ura. Në këtë “përplasje civilizimesh” do të mbijetojnë të fuqishmit por edhe ata që kanë aftësi të përshtaten. Ne të fuqishëm nuk jemi, por a po përshtatemi si dhe sa duhet?/Pamfleti