Shqipërisë nuk i lejohet hyrja në BE nga 1 korriku

E publikuar: 30/06/2020 18:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli i Bashkimit Evropian aprovoi rekomandimin për heqjen graduale të kufizimeve të përkohshme mbi udhëtimin në vendet e bllokut.

Mirëpo, bëhet e ditur se Shqipërisë nuk i lejohet hyrja në BE nga 1 korriku.

Ndërsa, në listën tjetër, atë të 15 vendeve që morën dritën jeshile nuk është as SHBA dhe Brazili, që kanë një situatë alarmante me pandeminë.

Fillimisht, u raportua se në draft listë ishin 54 vende që u diskutuan nga shtetet anëtare të BE-së, por në fund ajo u reduktua, duke përfunduar në 15 shtete.

Mes tyre dallon Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, Koreja e Jugut e Ruanda, ndërsa nga rajoni i Ballkanit, dritën jeshile e ka marrë vetëm Serbia dhe Mali i Zi. Diplomatët patën rënë dakord që lista të rishikohet çdo dy javë në varësi të zhvillimeve.

Vendet anëtare do të kenë për çdo rast autoritetin të vendosin se cilët qytetarë jo të BE-së duhet të lejohen, çka do të thotë se në raste të caktuara mund t’i rivendosin masat për kufijtë e brendshëm, megjithatë Brukseli shpreson se një qasje e koordinuar mund të ndihmojë në shërimin e kontinentit. /tch

Më herët këtë muaj, vetë KE-ja ishte shprehur se rihapja e kufijve me vendet jo anëtare të BE në Ballkanin perëndimor, përfshirë Shqipërinë, ishte prioritet nga 1 korriku.