Shqipëria vlerësohet nga ekspertët si një nga vendet më të favorshme në Evropë për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet diellore.
Por vendi aktualisht prodhon rreth 1% të energjisë nga dielli, ndërsa pjesa tjetër e nevojave sigurohet nga hidrocentralet dhe importi.Ndërtimi i parqeve fotovoltaike ka ecur me ngadalësi, ndonëse janë dhënë nga qeveria disa leje, kryesisht në zonën e Fierit, Lushnjës e Vlorës, ndërkohë që ky sektor po përballet me mjaft sfida.
Në Topojë të Fierit është realizuar një nga projektet e para për prodhimin e energjisë nga panelet diellore në Shqipëri.
Parku fotovolatik i Topojës me një fuqi 10 Megavat të instaluar, ndërtuar afër bregdetit të Semanit, në një sipërfaqe rreth 15 ha është tashmë në prodhim në vitin e katërt, thotë për Zërin e Amerikës Sadik Llapashtica, koordinator i këtij projekti.
“Ne e kemi filluar aktivitetin në vitin 2015 , në atë vit nuk kishte fare eksperienca në fushën e industrisë fotovoltaike, ndonëse Shqipëria shquhet për rrezatim të lartë diellor nga pozicioni gjeografik. Pas studimeve dhe konsultimeve me kompani të huaja, me ndihmën e sistemit bankar në Shqipëri dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e përfunduam projektin në Dhjetor të Vitit 2018 dhe prodhimi i energjisë në këto vite ka qenë në formatin e parashikuar”, thotë zoti Llapashtica.
Për 15 vitet e para, Parku Fotovolatik ka detyrimin ta shesë energjinë për 100 euro /MW tek kompania shtetërore e shpërndarjes (OSHEE).



















