Shqipëria “refuzon” Rusinë

E publikuar: 01/11/2016 11:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Blendi Lami

Rusia është shndërruar në një vend mjaft agresiv sa u takon politikave gjeostrategjike. Lami shpjegon përpjekjen e rusëve për një rol të madh në Ballkan nëpërmjet ndërhyrjeve në Serbi, në Mal të zi dhe gjetkë. Shqipëria pavarësisht presionit do të mbetet e palëkundur në orientimin e saj kah perëndimi, shkruan Lami.

Pyetjes për një ftesë zyrtare për të vizituar Moskën, ftesë e bërë nga ambasadori rus, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, iu përgjigj në Klan Kosova se “Shqipëria ka mbështetur linjën e re të NATO-s, njëherazi atë të shtrëngimit dhe dialogut”. Më pas, ai vazhdoi përgjigjen me gjuhë diplomatike, duke theksuar se nuk e eliminonte dialogun. Gjithsesi, duket një refuzim i tërthortë. Kjo tregoi se dominimi amerikan në Shqipëri është aq i fuqishëm sa nuk bëhet fjalë për të lejuar tentativën ruse për dominim në vendin tonë. Në një periudhë shumë të afërt, para disa ditësh, lideri i fqinjit tonë verior, Milo Xhukanoviç, dha dorëheqjen disa orë pasi deklaroi se Rusia kishte ndërhyrë për një komplot të mundshëm që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve. Ai shtoi se kishte “një lidhje të fuqishme të një faktori të huaj” për të shtënë në dorë parlamentin malazez dhe se do hetohej për nivelin e përfshirjes së Rusisë dhe Serbisë. Është momenti kur Mali i Zi gjendet pranë anëtarësimit në NATO dhe është kandidat për në BE – qartësisht në kontrast me politikën ekspansioniste ruse. Kur vë re se Rusia dështon për të “nënshtruar” vende të nivelit të Shqipërisë dhe Malit të Zi, kupton se ka diçka që nuk shkon me të.

Pas ekspansioneve të perandorisë cariste në shekullin XVII dhe Bashkimit Sovjetik shekullin XX, një cikël i tretë ekspansioni ka nisur që me marrjen e pushtetit nga Vladimir Putin. Fillimisht Putini u shfaq si një reformator, për të konsoliduar Rusinë nga ana ekonomike, politike dhe sociale. Tani Putini kërkon të vërë në jetë ciklin e tretë, teksa dy të parët kanë dështuar.

Në rrafshin gjeopolitik, Rusia vazhdon të jetë e përmbajtur brenda territorit të saj. NATO dhe Bashkimi Europian janë zgjeruar në disa nga vendet e ish-Paktit të Varshavës, madje edhe shteteve sovjetike. Megjithatë, Moska është munduar që të ushtrojë influencë në shtetet kufitare. Ndër të shumtat iniciativa të Rusisë për të neutralizuar NATO-n, janë: krijimi i një aleancë për t’iu kundërvënë Traktatit për Sigurinë Kolektive më 2002, përdorimi i resurseve energjetike për të manipuluar aleancat në kufijtë e saj, ndërprerja e energjisë për disa shtete europiane për t’u garantuar se Ukraina dhe Gjeorgjia nuk do të pranoheshin në NATO (2005-2006), pushtimi i Gjeorgjisë nga Rusia, dhe mosndërhyrja e NATO-s, përfshirja më 2010 e Ukrainës, atëherë me një udhëheqës pro-rus, në një union ekonomik, ku do të futej edhe Armenia dhe Kirgistani. Së fundmi, vijon tensioni në Ukrainë, të cilin Rusia e përdor për të “neutralizuar” Europën dhe Amerikën në shumë çështje. Ndërkohë, në disa vende, për shkak të lidhjeve të vjetra, ajo vijon të ushtrojë presion dhe influencë, madje në territore të diskutuara mund të hapë konflikte që do ta çekuilibronin rajone të Europës.

Në këtë kontekst, Putini është portretizuar nga Perëndimi si agresor, por në Rusi figura e tij vazhdon të lartësohet, duke e quajtur lideri që po ndihmon që vendi të bëhet sërish një fuqi globale. Por, që Rusia të jetë e tillë, duhet që ajo të ketë një kohezion të brendshëm dhe shtrirje të influencës së jashtme.

Studiuesja e Stratfor-it, Laureen Goodrich, thekson se cikli i Putinit filloi të tregojë shenja dobësie që në vitin 2014, kur në Ukrainë ra qeveria pro-ruse. Po sipas analistes në fjalë, në Ukrainë, me revoltat kundër-ruse dhe pro-perëndimore, u vu re se deri ku i kishte limitet fuqia ruse. Dhe tani Rusia ushtron influencë në një rrip toke në lindje të Ukrainës që mbahet nga rebelë të mbështetur nga Rusia.

Së brendshmi, kjo rënie ka ndodhur si pasojë e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Ndikim kryesor kanë pasur sanksionet ekonomike. Sipas një studimi të Institutit Austriak për Kërkime Ekonomike, ka ndodhur një reduktim i theksuar i eksporteve mes Rusisë dhe BE-së, rënie e vlerës së rublës, 25 % të rusëve u është ulur paga, 15 % e tyre kanë humbur punën, paga mesatare mujore ka rënë nën 450 dollarë në muaj, dhe shumica e rusëve mendojnë se situata sa vjen e përkeqësohet. Për më tepër, sipas të dhënave të këtij Instituti, popullariteti përkundrejt qeverisë ka rënë nga 66 % në 26 %.

Së jashtmi, sfidat e brendshme ushtrojnë trysni në kufijtë rusë. Sanksionet mund të shtohen për shkak të sjelljes së Rusisë në Siri. NATO vazhdon të ndërtojë “pozicionet” e saj në periferinë ruse. Samiti i NATO-s në Varshavë, në qershor 2016, miratoi një plan për të vendosur katër batalione në shtetet baltike dhe Poloninë lindore si garanci për mbrojtjen e kufijve të këtyre aleatëve; u afirmua vendimi i NATO-s “për të pezulluar çdo bashkëpunim civil dhe ushtarak me Rusinë”; u theksua se prania ruse në Siri dhe Mesdhe krijon rreziqe dhe sfida të reja për sigurinë e Aleancës; liderët e NATO-s do të thellojnë mbështetjen për Ukrainën.

Analistja e Stratfor-it, Laureen Goodrich, mendon skenarin e ndryshimit në politikën e jashtme ruse si imperativë për të ardhmen e Rusisë. Tani, nuk është më si në kohën e luftës së Ftohtë, kur rivalja e vetme ishte Amerika. Rusisë i duhet të përballet me fuqi të reja si Gjermania, Kina, Turqia, Irani, Japonia dhe Koreja e Jugut, nga të cilat Rusia është e rrethuar (për t’u përmbajtur) – një trysni që Rusia nuk e ka pasur më parë.

*Pedagog UET