Shqipëria në mesin e shteteve me konsum të lartë të pijeve me sheqer

E publikuar: 22/12/2015 11:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shqiptarët, ashtu sikurse i gjithë Ballkani gjenden në mesin e shteteve që kanë një konsum “në zonën e rrezikut” të pijeve të ëmbla.

Amerikanët nuk janë më në krye të listës si konsumatorët më të mëdhenj të pijeve me sheqer. Raporti më i fundit i revistës shkencore The Lancet tregon se Kili është shteti që konsumon më tepër pijë të ëmbla, ndjekur nga Meksika dhe më pas, SHBA.

Ndërsa, referuar grafikut, shqiptarët konsumojnë 0.2-0.3 oz në ditë, ose 6 ml – 9 ml mesatarisht në ditë.

E pozicionuar në zonën e verdhë, shqiptarët gjenden në një të mesme të artë, sikurse edhe fqinjët ballkanas në konsumimin e pijeve të ëmbla dhe thuajse e gjithë Europa.

Shtimi i prodhimeve kalorike, gjysmë të gatshme apo të gatshme ka rritur numrin e personave mbipeshë dhe obezë. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë mbi peshë më shumë se 36% e femrave dhe 23% e meshkujve shqiptarë. Një studim i bërë së fundi nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), tregon se është theksuar ky fenomen te fëmijët. Sipas studimit, mbi 20% e fëmijëve rezultojnë mbipeshë dhe në zonat urbane fenomeni është më i dukshëm. Raporti i fëmijëve obezë fshat-qytet është një me katër. Bie në sy numri dy herë më i lartë i fëmijëve obezë në shkollat jopublike, krahasuar me ato publike.

Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, obeziteti është shtuar me shpejtësi pothuajse në të gjithë botën. Më shumë se 1.1 miliardë njerëz në botë janë mbipeshë, nga të cilët mbi 300 milionë të dhjamosur rëndë. Në Europë, nga viti 1980 e këtej, numri i njerëzve obezë është rritur tri herë. Alarmi është se ai po rritet edhe te fëmijët. Nga viti 1970 numri i të rinjve dhe fëmijëve obezë ose me peshë të tepërt trupore në Europë është rritur 10 herë.