Shqipëria ia jep lejet e qëndrimit dy kosovarëve në përvjetorin e Pavarësisë (VIDEO)

E publikuar: 17/02/2022 10:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një lajm të mirë në 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Përmes rrjeteve sociale, Rama njoftoi se Shqipëria ka nisur me lëshimin e lejeve të qëndrimit biometrike për Kosovën, dhe dy të parat i morën Arita dhe Kushtrimi.

“Zbatimi i marrëveshjes që nënshkruam më 26 nëntor në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive dëshmon vullnetin tonë për të krijuar të gjitha kushtet e duhura që shqiptarët në të dy anët e kufirit të lëvizin dhe jetojnë pa pengesa”, shkroi mes tjerash Rama.


Postimi i plotë:

Në 14 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dua të ndaj me ju lajmin e mirë se tashmë Shqipëria ka nisur me lëshimin e Lejeve të Qëndrimit Biometrike për shqiptarët e Kosovës që jetojnë në vendin tonë.
Pata kënaqësi që dy kartat e para t’ia dorëzoja Aritës dhe Kushtrimit, dy të rinj nga Kosova që punojnë në Tiranë.
Dokumenti biometrik 5-vjeçar i rinovueshëm pa afat është i pajisur me të gjithë elementët e sigurisë dhe shërben gjithashtu edhe si një Leje Pune.
Procedurë aplikimi online, tërësisht e lehtësuar dhe pa dokumente. Zbatimi i marrëveshjes që nënshkruam më 26 nëntor në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive dëshmon vullnetin tonë për të krijuar të gjitha kushtet e duhura që shqiptarët në të dy anët e kufirit të lëvizin dhe jetojnë pa pengesa. Urime Pavarësia e Kosovës dhe t’i gëzojë dokumentet biometrike Arita me Kushtrimin.