Qeveritë e Ballkanit Perëndimor po synojnë të krijojnë një rrjet ekspertësh, në ndihmë të luftës kundër tregtisë së paligjshme të armëve nga rajoni, pas shqetësimeve të ngritura nga sulmet terroriste në Paris, për armët që kanë rënë në duart e militantëve islamikë.
Disa prej armëve kallashnikovë të përdorur prej terroristëve të sulmeve të 13 nëntorit në Paris, të marra përsipër nga i ashtuquajturi Shteti Islamik dhe që lanë 130 persona të vdekur, duket se vijnë nga vendet e ish-Jugosllavisë.
Jugosllavia u shpërbë pas trazirave dhe luftërave të viteve ’90, por prej kohësh rezultonte një prej vendburimeve më të mëdha të armëve të paligjshme, të cilat binin në duart e grupeve kriminale në Evropë. Edhe sot e kësaj dite ka shqetësime se të tilla armë janë duke kaluar përmes këtij rajoni dhe po përfundojnë në duart e militantëve islamikë, të cilët janë të vendosur të godasin Evropën Perëndimore.
Ministri boshnjak i Sigurisë, Dragan Mektiq tha se Franca ka propozuar që shtetet e Ballkanit Perëndimor; vendet e ish-Jugosllavisë të cilave u shtohet edhe Shqipëria; të bashkojnë forcat në këtë betejë.
“Armë të tilla janë përdorur dhe po përdoren vazhdimisht në sulmet terroriste, ndaj dhe kolegët tanë nga Franca kanë propozuar formimin e një rrjeti ekspertësh në Ballkanin Perëndimor për të luftuar trafikantët”, tha Mektiq për reporterët, pas një konference me zyrtarët e sigurisë nga rajoni, raporton Reuters.
Mektiq tha se rrjeti duhet të jetë i hapur ndaj shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Në Ballkanin Perëndimor, vetëm Kroacia dhe Sllovenia kanë mundur deri më sot të bashkohen me BE-në, por shtete të tjera si Shqipëria dhe Serbia shpresojnë ta bëjnë këtë gjë në të ardhmen e afërt.
Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq tha se Serbia ka bashkëpunuar me Francën në hetimin e origjinës së armëve të përdorura në sulmet e Parisit. “Hetimi duhet të tregojë, pavarësisht se ku janë prodhuar këto armë, sesi është bërë e mundur që të përfundonin në Paris, si dhe cilët janë njerëzit që kanë marrë pjesë në këtë zinxhir trafiku të paligjshëm”, tha ai.
Pjesëmarrësit në konferencën e sigurisë ranë dakord parimisht në ngritjen e një rrjeti të tillë, por ata nuk diskutuan mbi detajet, bëri të ditur Mektiq.
“Kjo nismë është tepër e rëndësishme, jo vetëm për sigurinë në Evropën perëndimore, por edhe për sigurinë në vendet tona, ku ne të gjithë duhet të punojmë për të ndaluar sa më shumë armë të paligjshme të mundemi”, tha Stefanoviq.