Shqipëria e shkel Poloninë dhe marshon drejt Evropianit

E publikuar: 10/09/2023 22:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka shënuar fitore kundër Polonisë, në një ndeshje shumë të rëndësishme në rrugën drejt Kampionatit Evropian “Euro 2024”.

Kuqezinjtë triumfuan 2:0 kundër Polonisë, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, në kuadër të Grupit E në kualifikimet për Kampionatin Evropian, shkruan lajmi.net.

Jasir Asani kaloi Shqipërinë në avantazh në minutën e 38-të falë një eurogoli nga distanca e largët. Me këtë gol u mbyll pjesa e parë me epërsinë e vendasve.

Golin e dytë dhe të epilogut përfundimtar për Shqipërinë e realizoi sulmuesi gjilanas Mirlind Daku në minutën e 62-të, vetëm një minutë pasi u inkuadrua në lojë.

Vlen të përmendet se përkrahja në tribuna për kuqezinjtë e Sylvinhos ishte e madhe me mbi 20 mijë shikues të pranishëm në shkallët e stadiumit.

Shqipëria me këtë fitore është lidere e grupit me 10 pikë të grumbulluara.

Tetë pikë ka Çekia në pozitën e dytë, po aq sa Moldavia. Polonia është e parafundit me gjashtë pikë, ndërkaq e fundit është Ishujt Faroe me vetëm një pikë.

Ndeshja e radhës për Shqipërinë është në tetor kur e pret Çekinë në kryeqytetin shqiptar.