Bylbyl Sokoli, Driton Latifi dhe Fisnik Ismaili janë të bindur se ndeshja e nesërme Shqipëri-Serbi, kualifikuese për kampionatin europian të futbollit në vitin 2016, do të përfundojë me gëzimin e shqiptarëve, pasi që kombëtarja “Kuq e Zi” do të triumfojë kundër asaj serbe.
Se cilat do të jenë rrethanat në të cilat do të zhvillohet ndeshja futbollisitke në mes kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë – që të dyja konkurrente për kualifikim për kampionatin europian të futbollit që do të mbahet në Francë në vitin 2016 – e po ashtu se cili do të jetë rezultati i lojës dhe se cila prej kombëtareve i ka gjasat më të mëdha për fitore, është diskutuar në Info Magazine në Klan Kosova.
Trajneri i futbollit Bylbyl Sokoli, është shprehur i sigurt se kombëtarja shqiptare e futbollit do të arrijë që të kualifikohet për në kampionatin europian të futbollit që do të mbahet në Francë në vitin 2016.
“Kjo po cilësohet si ndeshje e shekullit dhe është rast historik i kombëtares tonë që ta arrijë kualifikimin për kampionatin ndërkombëtar që do të mbahet në Francë. Ka shumë ngjyrime politike në këtë takim. Qëllimi i Serbisë është që ta pengojë Shqipërinë nga shkuarja në Francë, kurse qëllimi i vetëm i shqiptarëve është që të shkojnë atje”.
“Besoj se Shqipëria do të shkojë në Francë, jam i sigurt se do ta arrijë këtë qëllim, pra kualifikimin për në Euro 2016”, ka thënë Sokoli.
Kurse, Deputeti i Kuvendit të Kosovës Fisnik Ismaili i cili po ashtu njihet edhe si tifoz i zjarrtë i kombëtares Shqiptare, ka thënë se ndeshja në mes dy vendeve të Ballkanit që synojnë kualifikimin për në kampionatin europian të vitit 2016, s’do të ketë vetëm karakter sportiv.
“Nesër është ditë historike, edhe për sportin shqiptar por edhe për politikën dhe shoqërinë shqiptare. Shpresat asnjëherë s’kanë qenë më të mëdha. Janë dy qëllime edhe fitorja kundër Serbisë por sigurisht më e rëndësishmja edhe kualifikimi për në Euro 2016”.
“Duhet të fitohet ndeshja medoemos. Ky është edhe presioni që po iu bëhet 11 djemve të kombëtares. Populli shqiptar i ka pritjet e mëdha nga ta”, është shprehur Ismaili.
Ndërsa, gazetari i sportit Driton Latifi mendon se atmosfera para ndeshjes dhe ajo që do të jetë nesër me të filluar të lojës mund të shoqërohen me ndonjë incident.
Nuk është masa e popullit vetëm në stadium, por do të ketë turma të shumta të njerëzve edhe rreth e rrotull stadiumit Kjo situatë nuk i shkon aspak për shtati federatës shqiptare
Kjo paralojë për të cilët serbët sikur janë të pjekur për këtë gjë, do ti shkojë në dëm kombëtares tonë Këto janë çështje të cilat nuk duhet të merren kombëtarja jonë”.
Por Fisnik Ismaili, është shprehur optimist edhe sa i përket pjesës së incidenteve për shkak të tensioneve m=politike që i përcjellin të dyja kombëtaret, mirëpo edhe për rezultatin në favor të Shqipërisë.
“Nesër do të shkojë gjithçka mirë, si brenda e edhe jashtë stadiumit. Po e shoh një rezultat 2 me 1 për Shqipërinë. S’është interesante nëse edhe ne nuk marrim gol e nuk na lëkundet shpirti”.
Se kjo lojë e cilësuar si historike edhe në aspektin sportiv edhe në atë politik do të jetë në favor të Shqipërisë, mendojnë edhe Sokoli dhe Latifi.
“Shqipëria duhet të fitojë sepse gjatë kësaj periudhe garuese sepse ka dëshmuar kompaktësi më të mirë se sa Serbia gjatë kësaj kohe kualifikimesh”, është shprehur Sokoli.
Dhe se kjo ndeshje do të përfundojë me gëzimin e shqiptarëve e pohon edhe Latifi duke thënë se “futbollistët e kombëtares kanë gjasa të mira por fitore. Edhe në ndeshjen e kaluar në Beograd kishin raste të mira për të shënuar gol, kjo ishte arsyeja se pse atmosfera në stadium ishte e acaruar edhe më tepër.
“Jam i bindur se do të ketë fitore të thellë dhe goxha bindëse, sidomos nëse goli bëhet gjatë minutave të para të ndeshjes”.
Që të tre panelistët kanë dhënë nga një mesazh para ndeshjes që po e presin të gjithë shqiptarët pa përjashtim.
“Mesazhi im shkon për djemtë e kombëtares: Luani si dini më së miri”, ka thënë Ismaili.
“Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos e prishim festën” është mesazhi i Driton Latifit.
Kurse Bylbyl Sokoli e ka nga një mesazh edhe për lojtarët e edhe për tifozët:
“Futbollistët të jenë gjakftohtë dhe pa emocion. Nuk guxojnë të lejojnë të ndodh ajo që do Serbia”.