Me 134 vota, Shqipëria është zgjedhur dje (15 nëntor) me votim të fshehtë anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, tjetër tregues se Shqipëria sa vjen e po fiton pozita të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.
Ambasadorja shqiptare në UNESCO, Besiana Kadare, ka thënë se zgjedhja në këtë detyrë i jep peshë të madhe politike Shqipërisë.
“Një lajm shumë i bukur për diplomacinë shqiptare që dëshmon dhe besueshmërinë që gëzojmë si partner i besueshëm dhe i përgjegjshëm. Zgjedhja i jep peshë politike të madhe vendit tonë”, komentoi sot Besiana Kadare në një intervistë për “Report Tv”, duke shtuar se “është bërë një lobim i madh prej më shumë se një viti edhe në Neë York”.
Veç vendit anëtar në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s, Shqipëria gjatë muajit tetor u bë edhe anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, ku në garë ishte me Rusinë.
Oferta e Rusisë për të qenë anëtare e këtij këshillit ishte rrëzuar për shkak të pushtimit të saj të Ukrainës.
Rusia konkurronte me Bullgarinë dhe Shqipërinë për dy vende të hapura të caktuara për grupin rajonal të Evropës Lindore, por mori vetëm 83 vota në një votim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Sikurse në rastin e Këshillit për të Drejtat e Njeriut, edhe në votimin për Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s, Shqipëria ka lënë jashtë Rusinë.
Për katër vende në bordin ekzekutiv të UNESCO-s konkurronin 6 shtete. Krah Shqipërisë, anëtare janë zgjedhur edhe Sllovakia, Republika Çeke dhe Serbia. Ndërsa Shqipëria mori 134 vota, Rusia mori vetëm 94 duke mbetur jashtë për herë të parë në historinë e UNESCO-s.
“Është hera e parë që ndodh që Rusia të humbë në të gjithë historinë e krijuar në UNESCO. Është hera e dytë brenda një muaji që Shqipëria fiton një votë në një vend në organ ndërkombëtar. Pak javë më parë Shqipëria fiton në Këshillin e të Drejtave të Njeriut ku Rusia sërish humbi. Kjo është shumë domethënëse. Është një sinjal i fortë që komuniteti ndërkombëtar i ka dhënë Moskës”, nënvizon Kadare.
Ambasadorja shqiptare në UNESCO tha se do të punojnë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, por edhe në të tjera ndërkombëtare.
Megjithatë, ajo e pranon se prania e Serbisë në këtë Bord është problematike për rastin e Kosovës.
“Anëtare në Bordin Ekzekutiv është dhe Serbia që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kundërshton anëtarësimin e saj në OKB dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë UNESCO-n. Madje ka lobuar kundër pranimit të Kosovës në UNESCO”.
“Kosova është projekti që do të punojmë në të ardhmen. Kosova aty e ka vendin, herët a vonë e kjo do të ndodhë”, tha ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare.
Ndërkohë mbetja jashtë e Rusisë u komentua dje edhe nga presidenti i Ukrainës.
“Për herë të parë në histori, Rusia ka ngelur jashtë Bordit Ekzekutiv i UNESCO-s. Epoka e ndikimit rus ka përfunduar dhe me të drejtë: terroristët rusë nuk kanë vend në krye të organeve të rëndësishme ndërkombëtare. Roli ndërkombëtar i Rusisë do të vazhdojë vetëm dobësohen”, shkroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky në rrjetin social X.
Jashtë bordit ekzekutiv të UNESCO-s ka mbetur dhe Uzbekistani.