Shqipëri: Kuvendi miraton buxhetin me 84 vota pro

E publikuar: 16/11/2020 14:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në seancën e sotme plenare është miratuar buxheti i vitit 2021.

Ky buxhet është votuar me 84 vota pro, 14 kundër dhe 1 abstenim.

84 deputetë ngritën kartonët jeshil për ligjin kryesor financiar në vend i cili është parashikuar në dy drejtime, përballimin e pandemisë dhe rindërtimin nga tërmeti.

Nëpërmjet këtij ligji buxheti i ministrisë së Shëndetësisë është rritur me 2.2 miliardë lekë duke shkuar në total në rreth 70 miliardë lekë.

Pjesa më e madhe e këtij fondi do të shkojë për rimbursimin e ilaçeve që përdoren për pandeminë.

Një zë të veçantë në financat e vitit 2021 do të zënë edhe naftëtarët e Ballshit.

Pas arritjes së marrëveshjes me qeverisë, në buxhet është parashikuar që të alokohen 560 milionë lekë, i cili do të shërbejë si fond page prej 40 mijë lekësh për naftëtarët për një periudhë 12 mujore.

Pritshmëritë e qeverisë për vitin 2021 është që të ardhurat buxhetore të shkojnë në 483 miliardë lekë, shumë e cila duket goxha ambicioze duke përllogaritur efektet negative që mund të shkaktojë në ekonomisë pandemia e Covid-19.

Edhe sektori i bujqësisë parashikohet të ketë një mbështetje më të madhe financiare.

Rritja e buxhetit për këtë sektor pritet të jetë në 950 milionë lekë, e cila do të shkojë për skemën e rimbursimit të karburantit për fermerët, ndërsa një fond prej 200 milionë lekësh do të shkojë për investime në diga për përballimin e përmbytjeve.

Financat e vitit të ardhshëm parashikojnë edhe rritjen e pagave për mjekët me 40% si edhe për arsimtarët me 15%, rritje e cila fillon nga 1 janari 2021/Euronews.al