​Shqipe Selimi: Rexha mbahet i fortë, nuk dorëzohet

E publikuar: 17/02/2026 22:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gruaja e Rexhep Selimit, Shqipja ka thënë se pret ai dhe shokët e tij së shpejti të kthehen të pafajshëm në Kosovë.

Në vizitat në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës, ajo tha “Rexha po mbahet i fortë dhe nuk dorëzohet”.

Një ditë para fjalimeve që do të mbajnë në sallën e gjyqit të Speciales, ajo i tha KosovaPress-it se Prokuroria e Specializuar po paragjykon luftën e drejtë për liri dhe çlirim.

“Nesër pres që katër liderët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre ta marrin fjalën. Nuk jam e sigurt qe a do të flasin apo jo por besoj qe do ta shfrytëzojnë të drejtën që ju takon që secili ta ketë nga një fjalë përfundimtare rreth këtij procesi . Megjithatë, unë besoj që nuk mund ta thonë gjithë atë nëse flasin, nuk mund ta thonë atë që mendojnë vërtetë rreth kësaj gjykate për arsye të penalizimit të tyre sepse kjo prokurori nuk ka treguar shembuj konkret që është në anën tonë, përkundrazi ata po paragjykojnë, kanë paragjykuar edhe vazhdojnë të paragjykojnë të drejtën tonë për çlirim, liri dhe për pavarësi”, tha ajo.

Ajo pret drejtësi nga trupi gjykues, meqë thotë se prokuroria po bazohet në dosje nga Serbia.

“Prej kësaj prokurorie nuk presim asgjë më të mirë përveçse sikur tashmë që e keni parë në publik. Ajo fytyrë ka qenë prej fillimit prej që kur e kanë ngritur këtë aktakuzë ata kanë pretenduar. Nuk presim diçka më të mirë prej tyre, por presim drejtësi prej gjyqtarëve kompetentë. Pres ata që të mos ndikohen prej fjalëve të prokurorëve, sepse ata kanë shpifur, kanë dezinformuar edhe janë bazuar ne dosjet që i kanë marrë nga Serbia. Deri tash nuk kanë arritur që të shpërfaqin ose ta dëshmojnë ato pretendimet e veta që i kanë pasur që sa vite”, ka thënë ajo.

Në intervistën për KosovaPress, ajo foli edhe për vizitën e fundit në Qendrën e paraburgimit dhe se cilat janë fjalët e Rexhep Selimit.

“Vizitat i kemi të përmuajshme, periodike për çdo muaj nga tre ditë, nga tre orë, janë të shkurtra por që nuk mjaftojnë normalisht që të çmallemi por normalisht mjafton që e kemi atë të drejtë të paktën t’i vizitojmë…Rexha mbahet i fortë nuk dorëzohet, nuk ankohet edhe unë besoj shumë në pafajësinë e tij dhe të shokëve të tij dhe presim që shumë shpejt të krhehen të lirë në Kosovë tonë”, përfundoi Selimi.

Nesër katërshja e UÇK-së do t’i drejtohet trupit gjykues me fjalime nga 20 minuta secili.

Kjo shënon fazën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.