Shpëtohen shtatë alpinistë nga Mala e Jezercës, asistoi Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës

E publikuar: 30/03/2024 20:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas nxjerrjes së trupit të pajetë të kroates nga Mala e Jezercës, është realizuar që pesë turistë tjerë kroatë, të kthehen tek mjetet e tyre, në territorin e Malit të Zi.

Dy turistë të tjerë u transportuan me ndihmën e helikopterit në qytetin e Bajram-Currit.

Kthimi i pesë alpinistëve, te mjetet e tyre, u bë me asistimin nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, raporton Klankosova.tv.

“Prej disa orësh, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Shërbimin e Urgjencës, Forcat e Armatosura dhe Repartin e Kërkim-Shpëtim të Republikës së Kosovës u përfshinë në një operacion të vështirë në malin e Jezercës, për t’i dhënë ndihmë një grupi aplinistësh që kishin hyrë nga territori i Malit të Zi dhe kishin mbetur të bllokuar në majën e Jezercës. Gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë i një shtetasje, e cila kishte humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes në një zonë të thepisur dhe me borë. Pesë nga alpinistët kroatë të asistuar nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, po kthehen tek e mjetet e tyre, në territorin e Malit të Zi. Dy turistë të tjerë u transportuan me ndihmën e helikopterit në qytetin e Bajram-Currit”, njoftoi ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla.