Shpëtohen dhe i sillen në vendlindje kosovarët nga zona e luftës në Jemen

E publikuar: 06/04/2015 11:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës, pas shpërthimit të luftës dhe rrezikshmërisë së lartë për jetë në Jemen, ka arritur t’ i evakuojë shtatë shtetas kosovarë që ishin me banim të përkohshëm atje. Të gjithë ata tashmë kanë mbërritur në Kosovë.

Zëvendësministri i jashtëm, Petrit Selimi, ka bërë të ditur se “pas shumë përpjekjeve, shteti i Xhibutit shprehu gatishmërinë për të na ndihmuar në evakuimin e shtetasve tanë bashkë me shtetasit e tyre nga Jemeni dhe operacioni për evakuimin e tyre u përmbyll me sukses. Gjendja në Jemen po përkeqësohej gjithnjë e më shumë dhe pritej edhe ndërhyrja me trupa tokësorë të aleancës së dhjetë shteteve”.

Kreshnik Gashi, sekretar i përgjithshëm në MPJ, i cili i priti në aeroport të shtatë kosovarët e kthyer në vendlindje, tha se me të marrë lajmin se shtetasit kosovarë me vendbanim të përkohshëm në Jemen ishin në rrezik, MPJ ka filluar me procesin e evakuimit, në bashkëpunim me ambasadën e Kosovës në Riad. Ai shtoi se nga ky proces janë evakuuar dhe janë kthyer në vendlindje shtatë shtetas kosovarë. Gashi ka thënë se ky proces ka qenë mjaft i ndërlikuar sepse konflikti ka qenë i ashpër dhe se disa tentativa të mëhershme kishin dështuar.

Autoritetet e Kosovës bashkë me autoritetet turke dhe pakistaneze, që gjithashtu kishin qytetarë të tyre në zonën e luftës, patën organizuar disa herë operacione për evakuimin e shtetasve kosovarë dhe turq, por për arsye të rrezikshmërisë së lartë të udhëtimit ajror ishin detyruar që t’i anulojnë ato deri më tash.

Image
Image