Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se mbrëmjen e kaluar, në njërin nga repartet e Klinikës së Pediatrisë, ka ndodhur një problem teknik ku është shkaktuar një shpërthim i gypit të kanalizimit në hapësirat e korridorit.
Sipas njoftimit zyrtar nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ngjarja ka ndodhur në mesnatë, por ekipet teknike dhe shërbimet e mirëmbajtjes kanë reaguar menjëherë, duke e vënë situatën nën kontroll pa vonesë.
Fatmirësisht, nuk ka pasur depërtim të ujërave në dhomat ku po trajtohen fëmijët, duke shmangur çdo rrezik të mundshëm për pacientët.
Pas intervenimit, korridoret janë pastruar dhe pritet të kryhet procesi i dezinfektimit, deratizimit dhe dezinsektimit (DDD), në mënyrë që të garantohet një ambient i sigurt dhe higjienik për pacientët dhe stafin mjekësor.
QKUK siguron opinionin publik se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla dhe për të mbrojtur shëndetin e pacientëve.



















