Shpërthejnë reagime ndaj “miniqeverisë së Mbrojtjes Civile”

E publikuar: 18/08/2015 19:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nisin reagimet e para pas shkrimit të “Kohës Ditore” se formacioni paramilitar “Mbrojtja Civile” do të transformohet në miniqeveri dhe se brenda pak ditësh, pjesëtarët e kësaj strukture paramilitare do të nisin ta zhvillojnë “aktivitetin shtetëror” në zyra të njëjta në veriun e banuar me serbë.

Në partinë më të madhe opozitare në vend, Vetëvendosje, thonë se Qeveria e Kosovës po legalizon dhe po e bën hisenike në Kosovë një formacion paramilitar që do të duhej të ndiqej penalisht, raporton KTV.

Ndërsa Besnik Tahiri i AAK-së thotë se procesi i shpërbërjes së strukturave paralele nuk duhet të jetë në dëm të shtetësisë dhe rendit kushtetues.

Ndryshe, ‘Koha Ditore’, në numrin e sotëm, ka shkruar se deri tash, institucionet shtetërore të Kosovës kanë lidhur 105 kontrata me pjesëtarë të mbrojtjes civile.

Në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave janë rekrutuar 80 e në Shërbimin Korrektues 25, përcjell koha.net. Në pritje të firmosjes së kontratave janë edhe 378 pjesëtarë të tjerë të Mbrojtjes Civile.

Prej tyre 184 do të rekrutohen në 9 ministri. Të tjerë pjesëtarë do të shpërndahen në 7 agjenci, në Administratën Tatimore e në Doganë.