Shpërblehen punëtorët e “A-së”, Kosova B pa asnjë cent – paralajmërohet padi

E publikuar: 23/01/2026 21:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dyshohet se ka ndarë bonuse në vlerë prej 200 ose më shumë euro për një pjesë të punëtorëve të Termocentralit Kosova A, ndërsa nga këto përfitime, sipas informatave që ka Klani brenda institucionit janë përjashtuar punëtorët e Termocentralit Kosova B dhe ata të qymyrit.

Ky vendim ka nxitur pakënaqësi dhe reagime, duke u cilësuar si i padrejtë dhe diskriminues.

Këtë e ka konfirmuar për Klan Kosova edhe kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica.

“Është e vërtetë që për një pjesë të punëtorëve të Kosovës A janë ndarë bonuse, kurse të mënjanuar e përjashtuar mbetën këta të Kosovës B. Menaxhmenti i KEK-ut përmes këtij veprimi ka dashtë me bo përçarje mes punëtorëve edhe pse e di se funksionojnë si hallkë. Ne s’jemi aspak kundër stimulimit për punëtorët e Kosova A, por është e papranueshme kjo që ka ndodhur”, tha Llumnica për Klanin.

Ai tha mes tjerash që kjo çështje nuk ishte përmendur as në takimin me bordin e KEK-ut.

“Me 21 janar ne patëm takimin me bordin e KEK-ut, as nuk na kanë treguar e as paralajmëruar për këtë sepse nuk do lejonim të ndodhte ky diskriminim. Por ata e kanë kurdisur si kurth për punëtorët që të ketë krisje me qëllim të shuhet uniteti i kërkesës për rritje pagash”, shtoi Llumnica.

Llumnica paralajmëroi padi ndaj Korporatës, dhe sipas tij, këtë veprim do ta ndërmarrin me fillim të javës që vjen.

Klani ka nisur pyetje në adresë të KEK-ut dhe është në pritje të përgjigjeve rreth çështjes në fjalë.