Shpend Ahmeti, kryetari më i paguar sipas projektligjit për pagat

E publikuar: 27/06/2018 09:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Projektligji për pagat ka nxjerrë zyrtarët më të paguar dhe nivelizimin e tyre të pagave. Ata do të paguhen varësisht nga pozita që kanë.

Kështu, me projektligjin e ri për pagat, Shpend Ahmeti del të jetë kryetari më i paguar nga kryetarët e komunave në Kosovë.

Ai do ta ketë pagën, 1673 euro apo koeficientin (7), i cili është në nivel të njëjtë me komandantin e FSK-së i cili do ta ketë pagën e njëjtë.

për më tepër, Presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri do të jenë zyrtarët më të paguar shtetërorë.

Presidenti i Republikës së Kosovës do të jetë zyrtari më i paguar në vend sipas Projektligjit për pagat. Ai do të marrë pagë mujore 2 868 euro.

Pas shefit të shtetit, zyrtarët më të paguar shtetërorë do të jenë kryeministri, kryetari i Kuvendit dhe ai i Gjykatës Kushtetuese, të cilët do të marrin pagë mujore 2 390 euro.

Duke iu referuar këtij projektligji, paga e ministrave do të jetë 1 792 euro, po kaq edhe e deputetëve.

Kurse zëvendësministrat do ta kenë koeficientin gjashtë (6), që i bie se do të marrin pagë mujore 1 434 euro. Me koeficient 6 do të paguhen edhe kryetarët e komunave që kanë asamble komunale nga 41 deri në 31 asamblistë.

Me koeficient 5.50 apo 1 314 euro do të paguhen shefi i kabinetit në Kuvendin e Kosovës, në Presidencë dhe në Zyrën e Kryeministrit. Me koeficient të njëjtë (5.50) do të paguhen edhe këshilltarët e lartë politikë në Kuvend, Presidencë dhe Zyrën e Kryeministrit.