Marrëveshja mes Shpend Ahmetit dhe Aleancës Kosova e Re, e bërë publike sot, më së paku mund të quhet marrëveshje politike mes dy subjekteve; në përpjekje për ta fituar Prishtinën më 19 nëntor. Ajo bazën e ka te një favor i madh që Shpend Ahmeti ia kishte bërë Rrahim Pacollit për një pronë prej 3 hektarësh në Hajvali.
Para dy vitesh, në mars të vitit 2015, drejtoria e Urbanizimit të Prishtinës ia ka dërguar për aprovim Kuvendit Komunal të Prishtinës një kërkesë, me anë të së cilës një tokë bujqësore në Hajvali, pronë e Rrahim Pacollit, shndërrohet në tokë ndërtimore. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej mbi 3 hektarësh. Si rrjedhojë e saj, sot në atë hapësirë janë ndërtuar objekte banesore.
Gjithashtu, çfarë është e rëndësishme të thuhet, ajo hapësirë, së cilës i është ndërruar destinimi, nga bujqësore në ndërtimore, tash është përfshirë edhe në planin zhvillimor të Prishtinës. Gjatë kohës kur është realizuar kjo lëvizje, me profite të mëdha ekonomike për z. Rrahim Pacolli, në koalicion me z. Shpend Ahmeti në pushtetin lokal në Prishtinë ka qënë edhe AKR, e udhëhequr nga Islam Pacolli, vëlla i Rrahim Pacollit.
Gazeta Express e ka siguruar këtë vendim të Kuvendit Komunal dhe e boton në tërësi.
Sipas burimeve të Gazetës Express, Drejtoria e Urbanizimit e Komunës – si për asnjë tokë tjetër – e kishte përmbyllur këtë proces në afat rekord prej vetëm disa javësh.
Zakonisht procedurat, sikur të mos ishte emri i Rrahim Pacollit, ishte përmbyllur për vetëm një muaj, meqenëse Drejtoria e Urbanizimit e Shpend Ahmetit e kishte trajtuar si kërkesë urgjente.
Ditë më parë, përpara se të zyrtarizohet marrëveshje mes Shpend Ahmetit dhe Selim Pacollit, Rrahim Pacolli në profilin e tij në Facebook e kishte publikuar një foto të takimit mes tij dhe Shpend Ahmetit. Çka vërteton hipotezat se Rrahim Pacolli është kumbar i koalicionit VV-AKR në Prishtinë, ashtu sikurse kishte qenë edhe kumbar i Koalicionit të AKR’së me PAN’in.

Më herët kishte qenë vetë Lëvizja Vetëvendosje e cila s’kishte lënë gjë pa thënë për Rrahim Pacollin dhe AKR’në. Rrahimin e kishin akuzuar si zhvatës të diasporës përmes taksës që u merret atyre sa herë që hyjnë në territorin e Kosovës, kurse AKR’në si parti klienteliste.
Madje, akuzën se AKR është parti klienteliste e kishte ripotencuar edhe javën e kaluar Dardan Molliqaj, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në media spekulohet se Rrahim Pacolli do të jetë Nënkryetar i Komunës, nëse Shpend Ahmeti fiton përballë Arban Abrashit më 19 nëntor.
Por duket se tashmë në Vetëvendosje janë venitur shpresat për fitore, meqenëse kanë dhënë shenja se janë të gatshëm të bëjnë kompromise edhe me një parti si AKR’ja për të cilën s’kanë lënë gjë të zezë pa thënë.
Në vazhdim mund ta lexoni vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, të miratuar me urgjencë nga Drejtoria e Urbanizimit e Shpend Ahmetit, që i lejon Rrahim Pacollit që tokën bujqësore prej 30 mijë metrash katrorë ta ridestinojë si tokë për ndërtim.
Ndryshe, ne kete toke Rrahim Pacolli ka ndertuar nje restorant.

















