Shpallen të pafajshëm për rastin e arratisjes së Lushtakut nga QKUK, reagojnë Thaçi e Shatri

E publikuar: 21/02/2022 22:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të pafajshëm Emrush Thaçin dhe Nexhib Shatrin, të akuzuar nga Prokuroria për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja.

Aktakuza, për arratisjen nga QKUK-ja ishte ngritur me datën 17 nëntor 2016.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se nga mëngjesi i 20 majit, e deri në orët e mbrëmjes së 22, majit në objektet e Spitalit Rajonal të Prishtinës duke vepruar sipas një plani të përbashkët, derisa kanë qenë në paraburgim ata (Lushtaku, Jashari dhe Haxha), kanë ikur nga dhomat e spitalit në të cilat kanë qenë në mbajtje për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit Lushtaku, Jashari dhe Haxha janë fshehur në lokacion të panjohur duke u arratisur nga institucioni ku ata kanë qenë në bazë të vendimit të ligjshëm për privimin e tyre. Sipas Prokurorisë qëllimi i arratisjes nga QKUK-ja ishte mosekzekutimi i vendimit të gjyqtarit të EULEX-it, për transferimin e të akuzaurve nga Qendra e Paraburgimit të Dubravës për në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, për rastin “Drenica”.

Pas shpalljes së tyre si të pafajshëm, në mungesë të provave, kanë reaguar Emrush Thaçin dhe Nexhib Shatrin.

Përmes një shkrimi në Facebook, ata thanë se tentimi i EULEX dhe ‘disa matrapazëve vendor’ për t’i shpallur të fajshëm ka dështuar sepse nuk gjetën asnjë provë.

Sipas tyre, po të kishte ndodhur e kundërta do të bëhej lajm.

“Na than duhet me kthy në rigjykim se EULEX dhe disa matrapaz vendor janë bërë merak me j’au F….., e kthyen, se nuk gjetem asgjë, përsëri nuk gjetën, Zoti ju ndihmoft!
Me pas ndodhur e kundërta kish prodhu lajm🤣🤣🤣!
Drejtësia në vend!”