Bashkim Zejnullahu nga Shoqata e Mullisëve të Kosovë ka thënë se nuk ka vend për shqetësime pasi furnizimi i brendshëm me grurë dhe miell në vend është stabil.Zejnullahu, mes tjerash, tha se janë kundër abuzimeve me çmime dhe se duhet të ketë rënie të çmimeve për shkak të stabilitetit, raporton Ekonomia Online.
“Jemi të angazhuar dhe duke vështruar situatën, jemi edhe kompetent duke marr parasysh situatën aktuale globale me furnizime esenciale që të të kemi një furnizim stabil për tregun e brendshëm. I falënderojmë edhe fermerët tanë që kanë bërë një punë të palodhshme.
”“Ne si shoqatë, jemi te angazhuar që të ketë edhe furnizime edhe stabilitet duke e ditur situatën e muajit shkurt dhe mars arritëm ta vërtetojmë se e kemi nën kontroll dhe se kemi stoqe të mjaftueshme. Mendoj se do të vazhdojmë njësoj edhe këtë vit”, u shpreh ai.
Tutje, Zejnullahu tha se nuk është nevoja që të ketë shqetësime.“Jemi kundër abuzimeve të çmimeve nga kushdo qoftë dhe të mos shfrytëzohet situata aktuale që të ngrisin çmimet pa nevojë. Nuk ka nevojë për shqetësime pasi ka furnizime por as për ngritje të çmimeve”, tha ai.
Mes tjerash ai u pyet edhe se nga cilat tregje Kosova planifikon të importojë grurë.Zejnullahu përmendi Maqedoninë, Bullgarinë, Serbinë e Kroacinë si shtete më të afërta nga të cilat Kosova mund të importojë për t’i plotësuar mangësitë.