Sholtes: Shfuqizimi i Gjykatës Speciale izolon Kosovën

E publikuar: 17/01/2018 12:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

ntervistë ekskluzive me Igor Sholtes, raportues i posacëm i PE për Kosovën. Ai kërkon që të mos shfuqizohet ligi për Gjykatën Speciale dhe të miratohet marrëveshja për demarkacionin.

Deutsche Welle: Zoti Sholtes, në Kosovë po debatohet gjithnjë e më shumë për mundësinë e shfuqizimit të ligjit për Gjykatën Speciale pwr krime lufte. Cilat do të ishin pasojat e shfuqizimit të këtij ligji?

Igor Sholtes: Misioni i BE në Kosovë dhe shtetet e Kuintit kanë shprehur pakënaqësi të thellë me idenë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale për krime lufte. Fakt është që një vendim i tillë do të paraqiste një hap të madh mbrapa për Kosovën. Ky vendim do të ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e sundimit të ligjit dhe do të lëkundte kredibilitetin e Kosovës si një partner të barabartë me BE. Mendoj se një vendim i tillë do të rrezikonte shumë përparimin që është arritur në Kosovë në disa vitet e fundit. Mendoj se edhe ky kapitull i të kaluarës duhet të përmbyllet. Ndaj edhe njëherë u bëj thirrje të gjitha insitucioneve dhe liderëve të partive në Kosovë që të mos lejojnë miratimin e një vendimi të tillë, sepse kjo do të thoshte që Kosova po shkon drejt izolimit dhe jo bashkëpunimit.

DW: Mendoni se Kosova vërtet do të izolohet edhe më shumë nëse shfuqizohet ligji për Gjykatën Speciale dhe cilat do të ishin pasojat konkrete për Kosovën?

Sholtes: Disa anëtare të Kuintit e kanë bërë të qartë se një vendim i tillë do të kishte pasoja ekstreme të dëmshme për Kosovën dhe do të rrezikonte punën e përbashkët që është bërë vitet e fundit. Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë kapituj ku Kosova ende duhet të punojë shumë. Ndaj të gjitha aktivitetet e këtilla do të ishin shenja shumë të këqija për respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe obligimeve ndërkombëtare. Ndaj mendoj se do të kishte pasoja për negociatat e mëtutjeshme të BE me Kosovën.

DW: Çfarë do të thoshte shfuqizimi i këtij ligji: a do të thotë kjo se të dyshuarit për krime lufte nuk do të ndiqen dhe nuk do të nxirren para drejtësisë, apo do të krijohej një gjykatë e njëjtë, por me vendime të ndonjë organi tjetër?

Sholtes: Gjykata ekzsiton dhe duhet insistuar që një vendim i tillë të mos merret në Parlamentin e Kosovës. Nesër (të merkurën) vjen në Parlamentin Evropian një delegacion parlamentar nga Kosova nga pozita dhe opozita, dhe ne do t’ua shpjegojmë të gjithë atyre pasojat e mundshme që mund të ketë një vendim i tillë për shfuqizimin e Gjykatës. Ne do të theksojmë në rezolutën e përbashkët që të mos merret një vendim i tillë.

DW: Një çështje tjetër shumë me rëndësi për Parlamentin është edhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Aktualisht duket se kjo marrrëveshje nuk do të miratohet. Cilat do të jenë pasojat?

Sholtes: Kapitulli i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës është shumë me rëndësi. Mendoj se kjo zgjon më shumë vëmendje dhe pritet me padurim nga qytetarët e Kosovës, sepse liberalizimi i vizave është hapi më i rëndësishëm për qytetarët, në rrugën e integrimeve evropiane. Autoritetet e Kosovës duhet të jenë të ndërgjegjshme se çfarë përgjegjësie kanë mbi vete, sepse bllokimi i kësaj çështjeje rrezikon procesin e liberalizimit. Demarkacioni i kufirit është me rëndësi sepse në territorin e ish-Jugosllavisë ka shumë kufijë kontestues ku ende nuk është caktuar linja kufitare. Kjo është një çështje që duhet të zgjidhet sa më parë në rrugën drejt BE, në mënyrë që më pas të mos ketë probleme.

DW: A do të hiqen vizat për shtetasit e Kosovës, nëse nuk miratohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi?

Sholtes: Jo. mendoj se ky është një obligim që e kanë nënshkruar autoritetet e Kosovës dhe ato të BE. Shpresoj se kjo do të ndodhë sa më parë, sepse qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave.

DW: Do të thotë, vizat nuk do të hiqen nëse nuk miratohet marrëveshja?

Sholtes: Mendoj se BE-ja shumë vështirë mund ta ndryshojë mendimin.

DW: Në Serbi po zhvillohet dialogu për raportet me Kosovën. A mendoni se Serbia do të pranohet në BE pa njohjen e Kosovës dhe normalizimin e raporteve?

Sholtes: Këtu më parë duhet të bisedohet për zbatimin e rezultateve të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Marrëveshjet nuk janë zbatuar në masën e kërkuar, si p.sh. kur bëhet fjalë për çështjet energjetike apo asociacionin e komunave me shumicë serbe. Këto janë tema që duhet të zgjidhen. Ndaj duhet të shohim se cilat do të jenë sugjerimet e Komisionit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ky dialog është një prej çështjeve më të rëndësishme.

DW: Kur jemi tek sugjerimet: çfarë do të shkruanit në një raport për gjendejen në Kosovë, sikur ta bënit sot?

Scholtes: Para së gjithash do të dëshiroja një përparim në disa fusha. Ka dhe vështirësi objektive, por edhe subjektive. Shpresoj që autoritetet e Kosovës do t’i kryejnë obligimet e tyre dhe marrëveshjet që mundësojnë afrimin me BE. Shpresoj se Komisioni Evropian do të marrë dokumentacione ku shihet se Kosova ka shënuar përparim.

Eurodeputeti slloven Igor Sholtes (1964) është kryetar i partisë Verjamem (Besoj). Ai është pjesë e grupit parlamentar të ekologjistëve në PE. Në nëtor të vitit të kaluar është zgjedhur pasardhës i Ulrike Lunacek, si raportues i PE për Kosovën. Sholtes është nipi i ish-politikanit shumë të njohur në kohën e Jugosllavisë, Edvard Kardelj./DW