PAOLO CAVALIERE
Kalimi në dixhital që po ndodh sot në Shqipëri paraqet një sfidë, por ndoshta më e rëndësishmja është se hap një mundësi për të rritur lirinë e shprehjes dhe qasjen në informacion, duke u bërë një model i ndritshëm i rregulloreve të avancuara dhe efektive që hapin shtigje të reja për vendet e tjera në sferën evropiane
Ardhja e teknologjive të reja të transmetimit dixhital të përmbajtjes audio-vizuale ka shtruar para politikëbërësve dhe rregullatorëve, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, nevojën e zhvillimit të zgjidhjeve të reja për sektorin e transmetimeve mediatike. Në të vërtetë, ka rëndësi që teknologjitë dixhitale të shihen si një mundësi për ta përmirësuar tashmë cilësinë dhe pasurinë e shërbimeve të transmetimit mediatik. Megjithatë, nuk është qëllimi të minimizohen vështirësitë e kalimit në transmetimet dixhitale, një proces që në të vërtetë paraqet një numër ndërlikimesh; ndoshta për shkak të këtij shqetësimi në vitin 2003 – në Rekomandimin mbi lirinë e shprehjes në media në Evropë – Asambleja ka sugjeruar që të gjitha shtetet anëtare duhet të implementojnë në legjislacionet e tyre kombëtare jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si një mënyrë të harmonizimit të përqasjeve kombëtare dhe përhapjes së praktikave më të mira.
Në mënyrë të përsëritur, gjykata e ka vënë theksin më të madh mbi nevojën e mbrojtjes së lirisë së mediave dhe pluralizmit, duke shmangur përqendrimet e padrejta në treg, dhe vendimet e saj kanë ofruar një koleksion të plotë të udhëzimeve më të rëndësishme për ligjvënësit kombëtarë dhe rregullatorët që përballen me sfidat e kalimit në transmetimet dixhitale. Vendosja e peizazhit rregullator të televizionit dixhital është një proces me shumë nivele, që përfshin si ligjvënësit ashtu edhe rregullatorët, zakonisht në formën e një autoriteti të pavarur, dhe zhvillohet përmes fazave të ndryshme. Është gabim të mendosh se një përpjekje e tillë kaq e vështirë mund të jetë e shpejtë dhe e lehtë për t’u përfunduar. Përkundrazi, zbatimi do të mbetet vendimtar edhe pas miratimit të ligjit, dhe procesi i dhënies së licencës do të luajë një rol themelor. Nuk ka dyshim se mbi çështjen e licencimit, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ka lëshuar disa nga vendimet, që merren më ngushtë me fushën e transmetimit mediatik.
Gjetjet përkatëse mund të grupohen përgjithësisht në tri kategori kryesore. Së pari, një seri vendimesh përqendrohen më shumë në kërkesat procedurale të dhënies së licencave. Gjykata ka sqaruar se rregullat, standardet dhe çdo kërkesë për dhënien e licencave duhet të jenë të vendosura në nivel të brendshëm nga ana e autoriteteve kombëtare – është përgjegjësi e tyre ekskluzive vendosja e kapacitetit të spektrit. Në të njëjtën kohë, procedurat e licencimit duhet të jenë në përputhje me kërkesa të tilla si: mosarbitrariteti dhe transparenca. Jurisprudenca shpjegon po ashtu se Neni 10 kërkon, që refuzimi i aplikimeve për licencë duhet të jetë i motivuar mbi baza ekskluzivisht teknike dhe jo të orientohet politikisht. Gjykata e ka bërë kështu të qartë se procesi i vendimit duhet të jetë i orientuar drejt arritjes së vlerave të tilla si, paanshmëria dhe objektiviteti i raportimit dhe larmia e mendimeve përmes një stacioni kombëtar, dhe e drejta e publikut për të dëgjuar mendime të larmishme.
Së dyti, gjykata i ka kushtuar vëmendje strukturës së tregut dhe e ka vënë theksin më të fortë mbi nevojën për të stimuluar konkurrencën dhe për të shmangur përqendrimin e tepërt në duart e disa lojtarëve të mëdhenj, qoftë publikë apo privatë. Rregullatorët duhet të garantojnë “qasjen efektive në treg” dhe të shmangin situatat ku cilitdo “grupi të fuqishëm ekonomik ose politik në shoqëri, t’i lejohet të marrë një pozicion të dominimit mbi mediat audio-vizuale, dhe në këtë mënyrë të ushtrojë presion mbi transmetuesit dhe përfundimisht të pengojë lirinë e tyre redaktoriale”. Garantimi i veprimtarisë së forcave të konkurrencës dhe tregut të lirë është, pra çelësi për t’i shërbyer interesit të publikut për të marrë informacion të larmishëm, ndërsa në të njëjtën kohë, është edhe një e drejtë specifike dhe e qenësishme e iniciativave që kërkojnë aktivitete sipërmarrëse. Gjykata ka theksuar se si ulja e konkurrencës në sektorin audio-vizual përkthehet në dështim të shtetit në zbatimin e detyrimit të vet pozitiv për të vendosur një kornizë të përshtatshme legjislative dhe administrative për të garantuar pluralizmin mediatik efektiv; prandaj, shmangia e përqendrimit të tregut dhe oligopolit mbeten një qëllim madhor i autoriteteve kombëtare. Niveli i e tretë i rekomandimeve fillon nga këtu dhe shkon disi edhe më larg.
Nëse shmangia e përqendrimit të tregut është një objektiv me rëndësi parësore, gjykata ka arritur në përfundimin se numri i konkurrentëve nuk është treguesi i vetëm për shumëllojshmërinë e peizazhit të transmetimeve dhe mund të bëhet më shumë për të pasur larmi në përmbajtje. Në këtë drejtim, rregullatorët kombëtarë duhet të sigurojnë një kombinim të dispozitave që veprojnë në nivele të ndryshme. Prandaj, gjykata lejon disa forma të rregullimit të përmbajtjes nëse qëllimi i tyre është përmirësimi i larmisë së peizazhit informues. Kur flitet për përkthimin e parimeve të tilla në praktika në lidhje me kalimin në transmetimet dixhitale, një dispozitë si ajo që rezulton nga formulimi i kombinuar i Nenit 63 dhe Nenit 70 të Ligjit të ri për Media Audiovizuale – e cila i lejon të licencuarit të shërbimit të programeve audio-vizuale të mbajë licenca të rrjetit dixhital në bashkëpunim, me kusht që të rezervojë të paktën 40% të kapacitetit multipleks për operatorë të tjerë – do të mund të plotësohej me efikasitet dhe me sukses nga një regjim ad-hoc i licencimit, i cili duke siguruar kërkesat specifike do të mund të ndihmojë në rritjen e nivelit të larmisë së përmbajtjes së shijuar nga publiku.
Në ato vende ku operatorëve të rrjetit u lejohet të mbajnë edhe licenca si ofrues të shërbimeve programore, është praktikë e zakonshme që rregullatorët të përfshijnë rregulla të transmetimit të detyruar dhe specifikime të përmbajtje për t’u siguruar se larmia nuk venitet nga marrëveshje të tilla. Kjo nuk është thjesht një mundësi, por gjithnjë e më shumë një kërkesë specifike për rregullatorët kombëtarë. Të tria nivele të gjetjeve gjyqësore ndajnë një arsyetim të përbashkët, pasi të gjitha kanë për qëllim të arrijnë diversitetin dhe pluralizmin në peizazhin e transmetimeve. Për më tej, jurisprudenca e Gjykatës është sërish e dobishme për të identifikuar çfarë pranimesh të pluralizmit janë përqafuar nga Këshilli i Evropës kohët e fundit. Natyrisht, zërat që përfaqësojnë pozicione të ndryshme brenda spektrit politik duhet të marrin përfaqësim të plotë dhe të përshtatshëm, siç ka theksuar Gjykata në një numër rastesh të ndryshme.
Megjithatë, teksa përfaqësimi i opinioneve të ndryshme politike është ndoshta shprehja origjinale (dhe më e pranuar sot) e vlerës së pluralizmit, Gjykata ka theksuar me bindje se diversiteti duhet të ruhet në një numër perspektivash të tjera dhe ka shpallur nevojën për dhënien e kapacitetit të transmetimit në mënyra të tilla që i japin përfaqësim të gjitha ideve, identiteteve dhe interesave të ndryshme që ekzistojnë brenda shoqërisë. Si përfundim: Autoritetet kombëtare përballen me tre nivelet e ndryshme të obligimeve pozitive në dritën e jurisprudencës së Gjykatës: së pari, procedurat e licencimit duhet të jenë transparente, të drejtë, dhe sipas ligjit. Së dyti, duhet të shmanget përqendrimi dhe rregullorja duhet t’i lejojë tregut të akomodojë numrin më të madh të mundshëm të konkurrentëve. Së treti, pluralizmi si parim do të thotë si pluralizmi i zërave ashtu edhe diversiteti i përmbajtjes, në kuptimin e një pranimi të gjerë dhe gjithëpërfshirëse që nuk kufizohet vetëm në arenën politike. Kur licencat multiplekse dhe transmetuese të mund të mbahen bashkërisht, është themelore që licencat të përfshijnë kërkesat që sigurojnë se i gjithë spektri gjuhësor, fetar, kulturor dhe i ndryshimeve sociale gjen hapësirë në ekran.
Për më tepër, është me vlerë të rikujtohet se çka konsiderohej “praktika më e mirë”, sot po shihet gjithnjë e më shumë si një detyrim i plotë pozitiv që pritet nga shtetet anëtare dhe autoritetet e tyre. Vendimet e fundit të tilla si Ozgur Gundem , VGT Verein dhe Manole kanë pranuar në mënyrë progresive dhe pashmangshmërisht se pluralizmi është në të vërtetë një aspekt specifik dhe i qenësishëm i së drejtës për të marrë informacionin, sipas Nenit 10 të Konventës; prandaj, shtetet anëtare janë nën një detyrim pozitiv për të ndërmarrë veprime dhe për të siguruar një peizazh mediatik pluralist ndaj qytetarëve.
Ndërsa vendet e tjera që e kanë hartuar legjislacionin dhe mjetet rregullatore vite më parë, tani e kanë të vështirë ta përvetësojnë parimin dhe për këtë arsye kanë mbetur prapa. Prandaj, kalimi në dixhital që po ndodh sot në Shqipëri paraqet një sfidë, por ndoshta më e rëndësishmja është se hap një mundësi për të rritur lirinë e shprehjes dhe qasjen në informacion, duke u bërë një model i ndritshëm i rregulloreve të avancuara dhe efektive që hapin shtigje të reja për vendet e tjera në sferën evropiane.
*Autori është ekspert i Këshillit të Europës dhe profesor në Universitetin e Edinburgut