‘Shmangen nga llogaridhënia’ – Hoti sqaron: Debatet dhe interpelanca pamundësohen nga mazhoranca me mospjesëmarrje

E publikuar: 29/03/2024 21:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

‘Shmangen nga llogaridhënia’ – Hoti sqaron: Debatet dhe interpelanca pamundësohen nga mazhoranca me mospjesëmarrje

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se opozita po detyrohet që të thërras seanca të jashtëzakonshme për formimin e komisioneve hetimore.

Sipas Hotit mekanizmat e tjera mbikëqyrës parlamentar nuk po funksionojnë.

“Të jemi të qartë; opozita po detyrohet të thërras seanca të jashtëzakonshme dhe të kërkojë formimin e komisioneve hetimore pasi mekanizmat e tjerë të mbikëqyrjes parlamentare nuk po funksionojnë.” – ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai tutje ka thënë se kryeministrit dhe ministrat kanë një kohë që po refuzojnë të përgjigjen në pyetjet e deputetëve dhe sipas tij nuk marrin pjesë rregullisht në Kuvend.

“Kryeministri dhe ministrat një kohë kanë refuzuar të përgjigjeshin në pyetjet e deputetëve. Ata nuk marrin pjesë rregullisht në seanca të Kuvendit. Debatet dhe interpelanca pamundësohen nga mazhoanca me mospjesëmarrje në debat. Komisionet e rregullta parlamentare gati janë bërë jofunksionale, pasi ministrat zakonisht nuk paraqiten. Kur marrin pjesë, ata sillen jashtë çdo norme parlamentare ndaj opozitës për të pamundësuar debatin argumentues. Rezolutat e propozuara nga opozita për çështje të ndryshme janë refuzuar në vazhdimësi nga mazhoranca pa asnjë arsye, vetëm se vinin nga opozita.” – ka shkruar Hoti në Facebook.