Shkruan Berat Buzhala: Në Tokën e Premtuar

E publikuar: 08/12/2017 00:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Berat Buzhala
Të premten, në mbrëmje, derisa avioni po zbriste në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit, isha i bindur që kisha njohuri të thella për këtë shtet dhe për këtë rajon. Pas pesë ditësh, pas 70 kilometrash ecje në këmbë, pas bisedash të shumta, pas vrojtimesh të ndryshme, nuk e kisha më atë bindje.

Shumë rrallë më ndodh që në fund të vizitës në një vend të caktuar ta konsideroj veten më pak të informuar sesa në fillim të saj.

Izraeli, kuptohet, me theks të veçantë Jerusalemi, është pak a shumë sikur ta vrojtosh Universin nga ballkoni i shtëpisë, diku në një fshat të qetë. Në një gjendje të naivitetit të plotë, ajo çfarë shihet lart në qiell mund të thjeshtësohet vetëm në ca gaca që shndrisin diku sipër, ndoshta vetëm disa kilometra mbi ne. Provo e futu pak më thellë. Pra, provo e futu pak më thellë edhe në Izrael, në Jerusalem.

*

Asnjëri prej nesh nuk është imun, madje as neutral, kur përmendet Izreali. Jo vetëm ne, pjesa më e madhe e botës ka mendim për këtë shtet. Sikur edhe ne, pjesa më e madhe e botës gjithashtu nuk është neutrale. Miliarda njerëz afektohen prej historisë që është prodhuar aty. Prandaj, lëvizja më e vogël politike, ose religjioze, në Izrael bën që në dy-tri kontinente diplomatët t’i ngritin vetullat me skepticizëm dhe me ndruajtje.

Këto i dija edhe të premten në mbrëmje. Deri këtu, asgjë të re. E kam ditur që një problem, në dukje të parë religjioz, del të jetë problem i thellë politik. Një tjetër, që duket politik, del të jetë religjioz.

Gjërat janë aq të komplikuara, aq delikate, mosbesimi është aq i madh, sa, për shembull, ishe i bindur që një gotë po të thyhej rastësisht në njërën prej tempujve të shenjtë në Jerusalem, ku kishte mijëra besimtarë që po luteshin në mënyrat e tyre, kishte potencial për të prodhuar një konflikt që do të zgjaste me ditë e me javë. Këtë mund ta quajmë edhe si një gjendje mosbesuese mijëravjeçare. Mirëpo, për momentin, për MOMENTIN, aty kishte paqe. Një paqe të cilës askush nuk i beson, por që të gjithë e shfrytëzojnë për aq kohë sa ajo është e pranishme.

Ishim shtatë ose tetë veta që po udhëtonim për në Tokën e Shenjtë. Të gjithë të besimeve të ndryshme. Të të trija besimeve kryesore monoteiste, myslimanë, të krishterë dhe hebrenj – ndoshta edhe mosbesues. Për shumicën prej nesh, kjo ishte hera e parë. Zbritja në aeroportin Ben Gurioni në Tel Aviv megjithatë nuk të linte indiferent. Kemi parë shumë filma ndoshta, e kemi dëgjuar shumë histori, shumica prej tyre në nivele të legjendave dhe miteve. Për çdo rast, po përgatiteshim me aq sa mundeshim që të bënim një paraqitje solide para autoriteteve të sigurisë në aeroport.

Kryefjala: Mosadi i di të gjithë. Përgjigju në të gjitha pyetjet. Mos gënje.

Tek e fundit pse duhej të thuhej një gjë e tillë, apo vetëm për efekte të dramës? Pse të gënjente njeriu i shkretë në një vend të huaj?

Sido që të jetë, u tha edhe kjo. Mirë, nuk do të gënjejmë, e gjithashtu do të përgjigjemi në të gjitha pyetjet. Do të përgjigjemi brenda kapaciteteve tona njerëzore. Çfarë ndodh nëse nuk di të përgjigjesh? Kjo mbetet enigmë. Siç mbetet enigmë çdo gjë tjetër rreth këtij shteti dhe rreth këtij populli. Mbi këto enigma në fakt, krejtësisht të paqëndrueshme, u ndërtua edhe antisemitizmi. Mbi këto enigma, mbi ca të pavërteta, ose gjysmë të vërteta, u krijua edhe disponimi për Holokaustin. Pak më vonë për këtë.

*

Aterruam.

Nuk kisha bagazh tjetër, përveç një çante të shpinës. Ngjashëm ishte i ngarkuar edhe vëllai, Liridoni, që ishte më mua në këtë udhëtim. Meqë avioni jonë ishte ndër më të vonët, zbritëm pas mesit të natës, kur kishte filluar Sabathi, i gjithë aeroporti ishte pothuajse i zbrazët. Kur po i aviteshim pikës së kontrollit, ende pa mbërritur aty, në krye të shkallëve po qëndronin dy persona që po na shikonin. Ishin civilë. OK, këta duhej të ishin pjesëtarë të Mosadit të famshëm, thash me vete. Isha gati t’u përgjigjesha pa më pyetur asgjë. Na shikuan kur po ngjiteshim, kurse ne me modesti e ulëm kokën. Nuk thanë asgjë. Thjeshtë vazhduan të bisedonin me njëri tjetrin. E kaluam pengesën e parë. Meqë nuk kishte shumë udhëtarë të tjerë, shumë shpejt erdhëm afër pikës së kontrollit të pasaportave. Nga distanca e skanova personelin policor që po na priste. Vendosa të qëndroja në radhën që do të kontrollohej nga një – ishte shumë e re për t’i thënë grua – vajzë. Isha i gatshëm për t’u përgjigjur. Për çdo gjë. Derisa po i përgatisja përgjigjet, në pika të caktuara, kur po mendohesha mirë e mirë, e inkriminoja veten. Isha i gatshëm që të pranoja edhe ndonjë faj po të më kërkohej.

Mua vazhdimisht më shqetëson fakti kur në pikat kufitare duhet të kërrusesh për t’u përgjigjur në pyetjet e policit kufitar. Xhami që të ndanë me policin, qëllimshëm, ose si presion psikologjik ose si masë mbrojtëse për oficerin që gjendet në kafaz për orë të tëra, ose dyjat, lihet i hapur vetëm në fund. Jo vetëm në këtë aeroport, por në çdo aeroport tjetër të botës, kur polici të pyet, për ta dëgjuar pyetjen, duhet të ulesh pak, ta drejtosh njërin vesh në drejtim të vrimës së hapur të xhamit prej nga vjen pyetja, e pastaj, në po këtë gjendje jokomode, duhet të kthesh përgjigje. Një situatë e pabarabartë. Ngjashëm ishte edhe këtu. Vajza që zgjodha për të më marrë në pyetje, ndoshta nga orari i zgjatur i punës, ndoshta për ndonjë arsye tjetër që unë nuk e dija, ishte krejtësisht padisponim.

“A është hera e parë që po vjen në Izrael?”, ishte pyetja. I thash PO në të gjithë format e mundshme. Vokalisht, me tundje të kokës dhe me një mimikë aprovuese, ndoshta pak të çuditshme.

“Cili është qëllimi i vizitës?”, ishte pyetja e dytë. Edhe për këtë pyetje isha i përgatitur. “Jemi një grup gazetarësh nga Kosova, por jo vetëm gazetarë, që kemi ardhur për ta vizituar Izraelin”. Gjatë gjithë kohës fytyrën po e mbaja si të qeshur. Por jo shumë të qeshur, që të rrezikoja të dukesha non shalant. Një qeshje e lehtë kurtuazie. Kaq mjaftonte.

“Kaloni mirë”, më tha, dhe m’i zgjati pasaportat, duke ia bashkuar atyre edhe një vizë të qëndrimit. U gëzova që kalova, por edhe u zhgënjeva pak. Isha i përgatitur për një seancë shumë më serioze.

VIJON