Nga Berat Buzhala
Për të mirë ose për të keq, përpara se të shfaqej në skenë Hashim Thaçi, politika ka qenë më e thjeshtë. Më pak personale. Sigurisht që korrupsioni nuk lindi me të, as klientelizmi, as kapja e shtetit, mirëpo me të në skenë këto lulëzuan dhe e morën një kuptim të ri. Kufijtë në mes të asaj se çfarë është biznes e çfarë është politikë u zhdukën. I zhduki Thaçi. Të papranueshmen, të turpshmen, e bëri të pranueshme dhe normale.
Për shembull, deri para se Thaçi të bëhej Kryeministër ndodhte që takoheshin oligarkët me politikanët por kjo gjë supozohej të ishte një gjë jo e mirë. Kur ai u bë Kryeministër takimet e tilla konsideroheshin, jo më normale, por të dëshirueshme. Mos të gabojmë, nuk po flasim për takime që do të zhvilloheshin brenda zyrave të qeverisë, në të cilat takime ekzekutivi do t’i dëgjonte oligarkët, për problemet që ata kanë në të bërit biznes. Këtu po flasim për takime në të cilat interesi i shtetit dhe i qytetarëve as që është zënë në gojë. Është zënë në gojë vetëm interesi i qytetarit Thaçi.
Shtatë vitet e tij si Kryeministër Thaçi i kishte kaluar për t’u realizuar ekonomikisht, ai bashkë me rrethin e tij. Në fund të mandatit të parë dhe në fillim të mandatit të dytë, derisa Thaçi po vazhdonte të realizohej edhe më tutje ekonomikisht dhe financiarisht, kur po dukej se çdo gjë po shkonte vaj, atij i dolën disa probleme të paparashikueshme, siç ishte raporti i senatorit zviceran Dick Marty. Në Këshillin e Evropës ky senator nxori një raport tronditës, në të cilën ai i përfshinte në krime të llahtarshme, pa shumë prova, elitën politike kosovare.
Me këtë raport i pari qeshi Thaçi, pas tij qeshëm edhe ne, sepse na dukej tepër fantastiko – shkencor për t’u besuar, ndonëse të njëjtit iu dha një jehonë e çuditshme nga mediat serioze botërore, siç ishte The Guardian. Në eufori e sipër Thaçi i ftoi hetuesit ndërkombëtarë që t’i hetonin këto dyshime që i kishte ngritur Dick Marty, në mënyrë që të mbyllej kjo histori. Kjo dëshirë e tij, me pak vonesë, u realizua. Në vende të Bashkimit Evropian, asnjë kallëzim penal nuk mbetet i pa adresuar, pa marrë parasysh sa serioz është, e posaçërisht kur një gjë e tillë bëhet nga një politikan me renome, siç ishte Marty. Pra, pasi Marty i nxori ato fjalë nga goja e tij, ka qenë e ditur që çështja nuk do, dhe nuk mund, të mbyllet pa e thënë fjalën e tyre edhe instancat relevante drejtësisë.
Një gjë e tillë kishte mundur të bëhej edhe nga drejtësia vendore. Një prokuror, a disa prokurorë, kanë mundur ta marrin atë dosje, të nisin hetimet, të intervistojnë Thaçin, ose këndo tjetër të përfolur aty, dhe të thonë se ka ose nuk ka fakte për të ngritur një aktakuzë. Një hap i tillë, sado që në dukje formal, do t’i komplikonte punët për të gjithë ata që do të kërkonin një Tribunal Ndërkombëtar. Por për fatin e keq të Thaçit, prokuroria e Kosovës ishte e kapur nga Thaçi. Ata nuk kanë pasur as zemër, e as njohuri, që ta merrnin këtë rast në duart e tyre plot njolla.
Prandaj, kjo çështje u adresua në kanale tjera. Lindi nevoja për një Gjykatë Speciale që do t’i hetonte dyshimet e ngritura nga Marty, e që në ndërkohë kishin pësuar ndryshme, në disa vende ishin zgjeruar dyshimet e në disa të tjera ishin eliminuar ato. E rëndësishme ishte që nuk kishte vdekur si lëndë. Presidenti Thaçi, i bindur që më e keqja tashmë kishte kaluar, i bindur që ai nuk është assesi subjekt i hetimeve, ushtroi presion të paparë tek deputetet – edhe tek unë – që kjo çështje të procedohet më tutje. Sipas tij, nëse kjo çështje nuk do të kalonte, do të rrezikohej e ardhmja e Kosovës. Tash, i njëjti, pra, Thaçi, pas kaq vitesh, kur çdo gjë është gati, kur zhurma e prangave në duar të policisë ka filluar të dëgjohet, kur duhma e qelive në Hage kurrë nuk ka qenë më e fortë, ka filluar ta shoh ndryshe krejt situatën.
Thaçi intelektualisht çalon, por intuitën e ka të jashtëzakonshme, posaçërisht për të nuhatur rrezikun personal. Në këso ditësh ai bëhet i papërmbajtshëm. I vë në dispozicion të gjitha mekanizmat. E aktivizon fuqinë financiare dhe politike pa asnjë rezervë. Askush s’i Thaçi nuk e personalizon pozitën shtetërore. Qytetari Thaçi vazhdimisht ka qenë autoriteti suprem krahasuar me Kryeministrin Thaçi ose tash Presidentin Thaçi.
Sa për ilustrim, ai kur kishte vendosur që të bëhej President, i kishte vënë në dispozicion të gjitha resurset shtetërore, bie fjala terminalet, punësimet në ambasadat e Kosovës nëpër botë, e kushedi çka tjetër që ne nuk e dimë, për secilin deputetë që po hezitonte ta votonte atë. Përndryshe Thaçi ka talent të veçantë për ta përcaktuar çmimin për kokë deputeti. Ai e di saktë, si askush tjetër, sa kushton vota ose dinjiteti i secilit deputet.
Pastaj ankthet personale, siç mund të jetë tash frika nga Tribunali, është në gjendje t’i kontrabandojë në publik, në intervista tek gazetarët e tij personal, si gjoja kujdes të tij ndaj rreziqeve që po i kanosën Republikës.
Për çka po flas këtu? Për iniciativën e Presidentit Thaçi, herë në mënyrë publike, e herë përmes kuajve të tij Trojës, që ta minojë punën e Tribunalit Special. Që ta minojë Tribunalin, të cilin ai personalisht, me një presion të jashtëzakonshëm, e kishte kaluar në Kuvendin e Kosovës. Dëmi, për Kosovën, do të kishte qenë shumë më i vogël sikur në krye të herës Thaçi të kishte rezistuar ndaj themelimit të Tribunalit, sigurisht duke ofruar një alternativë për të. Tash, kërkesa e tij për ta anuluar një gjë që kishte kaluar, është krejtësisht absurde. Nëse Bashkimi Evropian po ushtron presion të paparë ndaj nesh për ta kaluar demarkacionin, vetëm mund ta imagjinojmë se çfarë reagimesh do të marrim nëse Kuvendi i Kosovës vendos që ta zhbëj një proces të cilin fillimisht e kishte autorizuar.
Mirëpo prej kah ky guxim i Presidentit Thaçi që t’i futet një avanture me kaq të panjohura?
Në parim Hashim Thaçi nuk është politikan shumë i guximshëm. Ai kthetrat e tij i tregon shumë rrallë, edhe atë vetëm në planin lokal, edhe atë kryesisht nëpër studio televizive, kur dëshiron të përcjellë mesazhe në adresa të caktuara. Mirëpo kjo gjë duket që ka ndryshuar, posaçërisht qëndrimi i tij ndaj Tribunalit Special kur Donald Trump u fut në Shtëpi të Bardhë.
Një korealicion në mes të këtyre dy ngjarjeve duket i paqëndrueshëm, mirëpo nëse e fusim brenda ekuacionit edhe senatorin Bob Dole, të cilin Presidenti Thaçi e ka futur në listën e pagave, gjërat bëhen më të shpjegueshme. Senatori Dol është i vetmi i gardës së vjetër në Partinë Republikane, që e ka në dispozicion veshin e Presidentit Trump, në rast nevoje. Ai ishte prej të paktëve politikan normal në Amerikë që kishte pranuar të fliste në konventën e Donald Trump, i konsideruar nga establishmenti republikan si një mish i egër. Ky qëndrim, ose ky pozicionim, duket që iu ka shpaguar z. Dole, e këtë ndër të parët që e vërejti ishte Thaçi, i cili u ngutë t’ia ofronte atij një kontratë prej 2.3 milionë euro nga buxheti i Kosovës. Një çmim i tillë nuk do të ishte asgjë, sikur shërbimet e Dole të përdoreshin për interesa të të gjithë qytetarëve, e jo vetëm për interesat e 1 qytetari, ose 20 qytetarëve. Kjo gjë nuk do të ishte kaq e thjeshtë, sikur situata në Shtëpi të Bardhë të mos kishte ndryshuar dramatikisht që prej kur ajo po banohet nga familja Trump. Me të brenda, ka ndryshuar rrënjësisht edhe qasja e Shtëpisë së Bardhë ndaj problemeve globale. Tashmë edhe është bërë publik qëndrimi i Trump, i Shtëpisë së Bardhë, në raport me problemet nëpër botë, si dhe, në këtë frymë, raportet e tij dhe të Shtëpisë së Bardhë me qeveritë që deri dje kontestoheshin nga politika normale amerikane. Bie fjala, administrata e Obamas raportet me qeveritë e ndryshme në botë i lidhte me nivelin e demokracisë në atë shtet, me nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut etj. Pra, në 20 – 30 vitet e fundit, për shkak të rritjes së peshës së mediave, për shkak të reagimit të ashpër të publikut, Shtëpia e Bardhë ndërtonte raporte me liderë të ndryshëm botërorë, varësisht nga shkalla e demokracisë në shtetet e tyre. Ta zëmë, SHBA ishte vënë në pozitë të palakmueshme nga Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, i cili deklaronte se duhej vrarë ata që shesin drogë, ose ata që e përdorin atë, si dhe, në mes tjerash, kishte deklaruar që edhe ai personalisht kishte qëlluar disa syresh. Një gjë e tillë ishte e papranueshme për Presidentin Obama. Një politikë e tillë nga administrata e Obamas, ose edhe ato para tij, ishte ndjekur edhe ndaj plot qeverive kontradiktore në vende të ndryshme të botës, posaçërisht në Evropën Juglindore dhe në shtetet e ish Bllokut Sovjetik.
Trump, me të marrë detyrën ka deklaruar se Amerika nuk do të kushtëzoj raportet e saja me nivelin e demokracisë në shtete të ndryshme të botës. Ky ka qenë një ndryshim dramatik në politikën e jashtme amerikane. Për z. Trump e rëndësishme për të pasur raporte të mira me një qeveri të caktuar është që ajo qeveri të jetë miqësore ndaj SHBA’vë. Kaq. Demokracia nuk është pengesë.
Këtu duket që e ka parë një dritare, përmes avokatit të tij, z. Dole. Për të, edhe në të kaluarën, edhe tash, ka qenë me rëndësi raporti me SHBA’të, shtet ky që tash së fundmi është në kontradikta të përhershme me partnerët evropianë. Rasti më i freskët është njohja nga Trump e Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit. Një vendim nuk u përkrah nga asnjë prej shteteve të Bashkimit Evropian. Para kësaj, Trump u tërhoq edhe nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, gjithashtu i kritikuar ashpër edhe nga Parisi, Berlini, Roma dhe Londra.
Kështu që nuk është aspak largmendësh që Thaçi, ose edhe liderët tjerë të Kosovës, ta marrin një dritë të gjelbër nga Shtëpia e Bardhë që të tërhiqen nga bashkëpunimi i Kosovës për punën e Tribunalit Special. Një dritë të tillë të gjelbër nga Presidenti Trump, në këto tri vite sa i kanë mbetur, do të marrin edhe regjime të tjera jodemokratike në botë. Mirëpo çfarë do të ndodhë me to pas tri vitesh? Çfarë do të ndodhë me ne, pas tri vitesh?
Në anën tjetër, këtu edhe më tutje po flasim vetëm për raportet tona me njërën superfuqi, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është pak e besueshme, madje aspak, që në këtë lojë do të futet edhe Brukseli. Përkundrazi, me marrëveshje jo transparente mund ta fitojnë lirinë 10 – 15 veta, por do të mbesin të izoluar miliona të tjerë.
p.s.
Mos të keqkuptohemi, të paktë janë ata qytetarë në vendin tonë që mendojnë se ky Tribunal është gjëja e duhur. Larg saj. Themelimi i tij fund e krye ishte gabim. Mirëpo, rrëzimi i tij, tash, është gabim i dyfishtë.