Dje u mbajt Parada e Krenarisë në Prishtinë. Kjo ishte hera e parë. Ka një pajtim të përgjithshëm për ta konsideruar të suksesshme, ndër mendje të shëndosha, natyrisht. E konsideroj edhe unë të tillë, me një përjashtim. Parada u shmang nga të gjithë politikanët. Ky përjashtim mund të duket një konstatim i pavend, andaj do të mundohem në vijim të jap një shpjegim pse është i qëndrueshëm, për mua.
Askujt nuk do t’i bënte ndonjë përshtypje, pra as nuk do t’i linte ndonjë peng, nëse në një paradë të tillë, në një vend tamam demokratik, nuk do të merrnin pjesë zyrtarë të lartë politikë. Në një vend demokratik, ku respektimi i të drejtave të njeriut është në nivelin më të kënaqshëm, pjesëmarrja e tyre nuk do të ishte më politike, por thjesht qytetare. Si qytetare, mbase as që do të vërehej, ose do të vërehej po aq sa ajo e cilitdo qytetar të rëndomtë, i komunitetit ose jo.
Por, pra, në një vend me demokraci të brishtë, me një kulturë dhe traditë të jotolerancës ndaj diversitetit, prania e personaliteteve politike në ngjarje të tilla, në mbrojtje të të drejtave të komuniteteve të ndryshme, është – më vjen të them e detyrueshme, por po mjaftohem të them – e domosdoshme. Arsyet janë të qarta. Prania e tyre do të jepte një mesazh thjesht human: ju keni një të drejtë, ne jemi këtu për të garantuar se të drejtat tuaja do të respektohen.
I vetmi që e dha këtë mesazh (tamam puna të mos e bënte edhe ai) është presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Në fakt, ai e ka vazhduar atë që e kishte bërë më së mirë deri më tash ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.
Nuk e bënë këtë kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, kryetari i PDK-së Kadri Veseli, kryetari i VV-së Visar Ymeri, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Nëse do të më detyronit me patjetër të jepja një shpjegim të vetëm pse nuk e bënë këtë, pra pse nuk morën pjesë në Paradë dhe nuk dërguan asnjë mesazh përkrahjeje dhe respektimi, do të përgjigjesha: epo, kanë frikë se i humbin votat. Por, nuk është vetëm kjo. Shumica e tyre, përveç frikës së votave, reflektimit të veprimit të tillë në karrierën e tyre, janë edhe vetë në vetvete ai lloji i turpshëm i homofobëve. Megjithatë, ky është vetëm vlerësimi im dhe do ta lë me kaq. Do të detyrohem të kthehem te shpjegimi i parë. Kjo nënkupton se ata janë hipokritë dhe nuk kanë fijen e dinjitetit. Sidomos, në këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti. Përtej kryetarëve të partive, këta dy bartës rolesh më madhore, duhej të ishin të pranishëm në një rast të tillë aq domethënës dhe simbolik për imazhin, mirëqenien dhe të ardhmen e vendit tonë.
Ku dua të dal kur e fus në valle nocionin e dinjitetit?
Nëse shfletoni (po qe se nuk e keni humbur tashmë këtë zakon kaq fisnik) fjalorin (FGjSh, Tiranë, 2006) do të gjeni këtë shpjegim për termin: dinjitet-i, tërësia e vlerave morale të njeriut; vetëdija e tij për këto vlera e për të drejtat në shoqëri; nderimi për vetveten.
Interpretimi i parë, duke u ndërlidhur me Paradën pra, është se refuzimi për të qenë pranë atij që ka nevojë për atë prani tënden është rezultat i një mangësie morale, i të mos qenit i vetëdijshëm për vlerat dhe të drejtat shoqërore, pra edhe i mos angazhimit, indiferencës, ose në fund, kundërshtimit, luftimit të qëllimshëm të tyre. Mosnderimi i tjetrit është, siç nënkupton termi dinjitet, mosnderim i vetvetes.
Mendoj se ka në përgjithësi dy kategori njerëzish që nuk e nderojnë vetveten: injoranti dhe i ndyri. I kanë të dyja, politikanët tonë që e shmangën Paradën, do të thotë refuzuan të dalin në mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBTI, apo vetëm njërën prej tyre?
Do të doja të shkoj këtë herë edhe pak më tej fjalorit, për t’i kërkuar ndihmë letërsisë. Tek ‘The Remains of the Day’ (Ajo çka mbetet nga dita), Ishiguro i bën personazhet e tij, gjatë tërë romanit, në situata të ndryshme, gjithmonë në lidhje me narratorin Mr. Stevens, të japin përgjigje të ndryshme në pyetjen e vetme: çka është dinjiteti? Sidoqoftë, përgjigjet, përmbledhtazi, janë: dinjiteti është të bësh punën tënde me përgjegjësi. Nëse je maxhordom, duhet të bësh punën e maxhordomit, pa lejuar kurrë të shkurajohesh, shpërqendrohesh apo lakmosh atë që nuk të takon (bile, edhe të mbetesh pa u martuar, që të mund të arrish në nivelin më të lartë të profesionit). Pra, nëse je politikan, kryeministër i vendit, apo kryetar i kryeqytetit, duhet të dalësh në Paradën e Krenarisë, jo pse kështu të obligon ndonjë ligj i shkruar, por sepse kështu të obligon ligji i pashkruar, tërësia e vlerave morale që duhet t’i kesh dhe manifestosh, nderimi i vetvetes dhe tjetrit. Në një moment delikat për një komunitet të caktuar, anëtarët e të cilit kanë të drejta të njohura me kushtetutë, por nuk mund t’i realizojnë praktikisht, përkundrazi jetët e tyre rrezikohen seriozisht, ti, si kryeministër, kryetar komune, apo politikan çfarëdo, duhet të jesh ai që do të jesh pranë tyre për t’i siguruar se të drejtat e tyre do të respektohen në praktikë, në jetën e përditshme. Për këtë je i thirrur. Kjo është puna jote. Kjo është ajo që të veçon. Mbrojtja e pakicave. Duke e bërë këtë, gjasat janë që edhe masa, e cila është kundër pakicës, ta rivlerësojë qëndrimin e saj. Këtë e bën politikani i dinjitetshëm. Kështu i ndryshon gjërat. Kështu u hap rrugë zhvillimeve demokratike. Në të kundërtën, masa do ta marrë refuzimin tënd si të mirëqenë dhe do të vazhdojë të mbajë qëndrimin e vet, bile edhe ta ashpërsojë. Në të kundërtën, ti nuk ke fije dinjiteti. Pra, nuk ke përgjegjësi dhe kurrfarë vlerash morale.
Prandaj, në raste të tilla, mendoj se duhet të jemi më tepër të angazhuar ne sesa vetë komuniteti LGBTI në mbrojtje dhe promovim të të drejtave të tyre.