Shkruan Arben Idrizi
OVL e UÇK-së është një bandë parazitësh. Nuk e them këtë që të fyej, as të paragjykoj ndonjë të kaluar, edhe pse do të mund të kisha të drejtë edhe në atë. Thjesht po vlerësoj të tashmen. Ndër veprimet e tyre të fundit, në dëm të vendit, në bashkëpunim me banditët në politikë, ka qenë fryrja e listave të veteranëve. Asnjë peshë nuk ka pasur, deri më tani, asnjë reagim ndaj atij skandali. Si pasojë, ato miliona nga buxheti i tatimpaguesve që do të duhej të përdoreshin për rritjen e mirëqenies, do të përfundojnë në xhepat e mashtruesve të shtetit.
Pothuajse në të njëjtën kohë, kësaj i ishte shtuar edhe një vendim i kryeministrit për t’i kompensuar, nga po ai buxhet i shkretë yni, familjet e një bande që kishte ndërmarrë një sulm terrorist në Kumanovë. Shpërblim prej banditi për banditët. Brenda kodit.
Në fund, opinionin e shokoi edhe një bandit tjetër, nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj. Në një reagim ndaj qëndrimit që ligji për Gjykatën Speciale të mos ndërrojë, pra që ajo gjykatë të merret potencialisht edhe me vrasjet e pasluftës, gjegjësisht vrasjet e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ai deklaroi se, në parafrazim, nuk kishte asgjë të keqe në vrasjen e tyre.
Mendoj se nuk e ka bërë sepse ka gabuar. As se ka guxim, për dallim nga të tjerët, për të thënë diçka që e mendojnë të gjithë bashkëmendimtarët e tij banditë. Është një mendim me zë. Mendimet me zë gjithherë janë të lakuriqta. Tregojnë natyrën e njeriut, bindjet e tij të thella. Banditët e OVL mendojnë se nuk ka asgjë të keqe në vrasjen e veprimtarëve të LDK-së. Sepse: ata ishin (propaganda, mashtrimi) bashkëpunëtorët e armikut / (e vërteta) rivalët e tyre politikë. Për një bandë të tillë, rivali politik duhet të luftohet dhe diskreditohet në mënyrën më të ulët, dhe në fund fare të asgjësohet fizikisht.
Në përgjithësi, kjo arrihet shumë lehtë kur banda e tillë është, në një mënyrë ose tjetër, fituese dhe vetë e shkruan historinë. Vetë vret dhe vetë vajton. Meqë të dyshuarit e parë për vrasjet e tilla nuk janë fitues në kuptimin e plotë të fjalës dhe bashkësia ndërkombëtare ka një ndikim fundamental, shpresa e vetme është që një organ i drejtuar prej saj të bëjë të mundshme hetimin.
Ne nuk e dimë saktësisht a do të merret Gjykata Speciale me ato krime. Personalisht, dua të them se do të ishte një humbje e madhe për drejtësinë nëse nuk do të merrej. Humbja kapitale, sigurisht, është mosgatishmëria e organeve vendore për ta bërë një gjë të tillë. Fakti se nuk mund të vihemi vetë ta çojmë drejtësinë në vend, tregon se mjerimi ynë institucional është prej barbarësh.
Sa më shumë që të trashet ky mjerim, banditët do t’ia shtojnë refrenit të tyre: Punë e madhe që janë vrarë aktivistët e LDK-së!, pjesën përmbyllëse: Punë e madhe që nuk po gjykohen vrasësit e aktivistëve të LDK-së!/Express/