Pamje nga vendi i ngjarjes nga tragjedia n’Cetinje. Foto: RCTG
Në krimin masiv në Cetinje të Malit të Zi mbetën të vrarë 12 persona, mes tyre dy fëmijë, ndërsa mjekët e Qendrës Klinike në Podgoricë po luftojnë për jetën e katër personave.
Prokurorja Andrijana Nastiq ka konfirmuar se në Cetinje janë vrarë 12 persona dhe se i dyshuari Aco Martinoviq ka kryer vetëvrasje, raporton Vijesti.
Në këtë krim u vranë shtatë burra, tri gra dhe dy fëmijë.
Të gjitha njësitë policore, si dhe pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë, kanë kërkuar me orë të tëra për të dyshuarin Aco Martinoviq, i cili vdiq pak minuta para mesnatës, pasi qëlloi veten në kokë kur, siç konfirmoi ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë, Lazar Shqepanoviq, policia e rrethoi atë në afërsi të shtëpisë së familjes në vendbanimin Humci.
Ai ka ndërruar jetë rrugës për në Qendrën Klinike në Podgoricë.
Martinoviqi e filloi krimin në tavernën “Velestovo”, afër Qendrës Sportive në hyrje të Cetinjes, ku vrau katër persona dhe më pas vrau tetë të tjerë në tre lokacione të tjera në qytet.
Katër personat e lënduar janë operuar mbrëmë, derisa bëhet e ditur se gjendja e tyrë është e rëndë.
I dyshuari dyshohet se ka pasur një debat, e më pas ka ndodhur një përleshje në lokal, pas së cilës ai ka shkuar në shtëpi, e më pas pas një kohe të shkurtër është kthyer i armatosur.
Ai ka qëlluar në tavernë dhe besohet se aty ka vrarë katër persona.
Pas kësaj, ai udhëtoi me makinën e tij në tre lokacione të ndryshme në Cetinje – vendbanimi Humce dhe në dy vende të tjera ku vrau ose plagosi disa njerëz, duke përfshirë dy fëmijë dhe disa anëtarë të familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë.
Ky është krimi i dytë masiv në Cetinje në dy vjet e gjysmë.