Sipas të dhënave, bëhet fjalë për 8 pika, ku në momentin e kontrollit janë gjetur 1.7 ton duhan dhe 9 makineri grirëse.
Gjithashtu janë gjetur 43 mijë paketa të përgatitura, por edhe duhan i grirë në sasi të mëdha, të cilët më pas do të hidheshin ilegalisht në treg.
“U zhvillua faza e dytë e aksionit të luftës kundër tregtimit të duhanit dhe prodhimit të duhanit të paligjshëm. Faza e parë është e fokusuar në tregjet me pakicë në të gjithë vendin. Faza e dytë po vazhdon sot në Shkodër me pikat e transportuesve, e grumbulluesve, e përpunuesve, deri tek paketuesit”, shprehet Pranvera Fagu, drejtore e përgjithshme e Doganave.
Drejtuesit e Tatimeve dhe të hetimit tatimor dyshojnë se bëhet fjalë për një rrjet të mirëorganizuar që përfshin edhe organizata kriminale në Maqedoni dhe Malin e Zi.
Gjatë kontrollit u gjetën cigare me etiketa të shkruara maqedonisht, me shumë gjasa të porositura për tregun e vendit fqinj.
“Në bashkëpunim me Tatimet dhe Krimin Ekonomik dhe Policisë së Shtetit, strukturat e Doganës kanë sekuestruar 8 makineri grirëse, të cilët në mënyrë të jashtë ligjshme grumbullojnë dhe shesin duhan. Ndërkohë është sekuestruar edhe një linjë e prodhimit dhe paketimit të duhanit. Janë sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme paketash me marka të ndryshme. Nga të dhënat e deritanishme dyshohet se vepron një grup i strukturuar kriminal me subjekte shqiptare, maqedonase dhe nga Mali i Zi”, thotë Zamir Shtylla, zv/drejtor i përgjithshëm i Doganave.
Shifrat e evazionit fiskal të shkaktuar nga këto linja prodhimi ilegale në Shkodër janë shumë të mëdha, por Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ende po vijon aksionin për bllokimin e pikave të tjera. Ndërkohë që i bëhet thirrje fermerëve prodhues të duhanit të legalizojnë aktivitetin e tyre.
“I bëjmë thirrje të gjithë fermerëve të regjistrohen pranë organeve përkatëse që aktiviteti i tyre të jetë i ligjshëm dhe të garantojë cilësinë e duhanpirësve”, thotë drejtoresha e përgjithshme e Doganave.
/ Top Channel