Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, nuk e ka përjashtuar mundësinë që dialogu i Kosovës me Serbinë të ndërpritet.
Krejt kjo, sipas saj, mund të ndodh nëse vazhdohet të këmbëngulet në draft statutin e Asociacionit, të cilin pala kosovare e refuzoi në Bruksel nën argumentin se bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Teksa tha se mbetet të shihet se si do të rrjedhë procesi në vazhdim, deputetja Kryeziu-Hyseni u shpreh se “ne nuk dëshirojmë që dialogu të ndërpritet”.
“Megjithatë po që se kjo është mënyra e vetme për të shkuar përpara atëherë nuk e di se si do të mund të ecim tutje ne në këtë dialog, duke u mbështetur në një dokument të tillë si ai që është prezantuar nga grupi menaxhues. Mbetet të shihet cila do të jetë zgjidhja që do të gjendet në takimet në vijim, qoftë të krye-negociatorëve apo nivelit të lartë politik”, tha ajo sonte në TV1.
Ajo u shpreh se edhe Bashkimi Evropian po tregon mos-konsistencë kur po vjen te puna e Asociacionit.
“Nëse edhe ata (BE-ja) kërkojnë që të themelojmë diçka që bie ndesh me Kushtetutën, nuk e di si mund të dialogohet. Edhe kryeparlamentari [Glauk Konjufca] sot e tha shumë mirë që ne fundja edhe do të tërhiqemi fare nga procesi sepse në asnjë mënyrë, LVV-ja dhe kryeministri Kurti nuk do të pranojë të themelojë një Asociacion me bazë një etnie”, shtoi ajo.
E njëjta theksoi se janë duke pritur përgjigje nga ndërmjetësit edhe për draft-vizionin dy-faqësh që e paraqiti kryeministri Kurti në takimin e 2 majit me presidentin Vuçiq, në Bruksel.
Se mund të ketë ndërprerje të dialogut, e potencoi të hënën edhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Konjufca ka shtuar se nëse Bashkimi Evropian nuk mendon që zgjidhja e dialogu me Serbinë duhet të jetë brenda Kushtetutës, atëherë Kosova nuk ka çfarë të kërkojë në dialog.
“Pikënisja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mendoj që nëse faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, nëse BE-ja nuk mendon që zgjidhja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, mendoj që Kosova nuk ka çka të kërkoj në atë dialog më. Kurrfarë interesi nuk ka Kosova më, çka kemi ne interes ta shkatërrojmë kushtetutshmërinë tonë, ajo shkon në dëm tonin nëse shkon ashtu”, ka thënë ai.
Derisa tha se kurrfarë pozicioni antikushtetues nuk mund të jetë bazë për negociata, për Konjufcën, draft-statuti i prezantuar i Asociacionit synon ta minojë shtetësinë e Kosovës, ndaj mund edhe “t’i themi mirupafshim”.
“Nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës, minimit të themeleve të shtetit tonë, atëherë është mirë të themi ne mirupafshim, se nuk ka interes këtu. Normalizimi vjen për shkak se shkohet drejt njohjes së ndërsjellë, normalizimi nuk vjen me shkatërru shtetin e Kosovës me një republikë serbe”, u shpreh kryeparlamentari.
Në takimin e 2 majit në Bruksel, siç edhe pritej nga ndërmjetësit në dialog, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq nuk kanë rënë dakord mbi draft-statutin për themelimin e Asociacionit.
Kryeminstri Kurti tha se drafti i prezantuar ishte antikushtetues. Kjo rezultoi edhe në shpërbërjen e Ekipit Menaxhues, çka u konsiderua si shkelje e marrëveshjeve nga BE-ja.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar tjetër takim këtë muaj, për ta çuar para procesin e themelimit të Asociacionit përmes qartësimit të propozimeve nga të dy palët. /Reporteri