Shkëmb Manaj reagon për herë të parë pas publikimit të mesazhit të tij në grupin e LDK-së në WhatsApp

E publikuar: 29/03/2025 08:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për deputet në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, tashmë i zgjedhur nënkryetar i Prishtinës, ka reaguar për herë të parë pas publikimit të mesazhit të tij në grupin e LDK-së në WhatsApp ku ka akuzuar bashkëpartiakët, që janë edhe pjesë e Kryesisë Qendrore të LDK’së, se ia vodhën mandatin e deputetit.

Manaj në një postim të bërë në Facebook e ka nisur me njoftimin se është rizgjedhur nënkryetar i Prishtinës, çka thotë se për të është nder dhe përgjegjësi t’iu shpërbej qytetarëve të Prishtinës.

Në pjesën e dytë të shkrimit, Manaj flet për procesin zgjedhor, konkretisht për mbi 17 mijë votat që mori në zgjedhjet e 9 shkurtit, por asnjë shkronjë të vetme nuk e ka shkruar kundër bashkëpartiakëve për vjedhje të votave të deputetit, siç kishte bërë në grupin e LDK-së në WhatsApp.

Postimi i tij i plotë:

Miq të çmuar,

Të dashur qytetarë,

Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se sot me mbështetjen e Kryetarit të LDK-së z. Lumir Abdixhiku dhe me vendimin e Kryetarit të Kryeqytetit, z.Perparim Rama kam marr përgjegjësi të re, atë të Nënkryetarit të Prishtinës – Kryeqytetit të Republikës tonë! Ju jam mirënjohës për besimin e dhënë për ushtrimin e këtij funksioni me përgjegjësi të lartë jetësore!

Është nder dhe përgjegjësi e madhe të vazhdoj t’i shërbej qytetarëve të Kryeqytetit, ashtu siç ju kam shërbyer për mbi tri vite radhazi nga funksioni i këshilltarit të Kryetarit Rama! Do të angazhohem me përkushtim për zhvillimin dhe mirëqenien e Kryeqytetit, duke u angazhuar se bashku me kolegët brenda administratës tonë për realizimin e projekteve zhvillimore të Prishtinës, të cilat janë në funksion për një jetë me të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim!

Miq të çmuar,

Plot 17 305 vota për mua në një proces zgjedhor për zgjedhjet nacionale, janë rezultat i angazhimit tim permanent për të mirën e vendit tonë, kudo që i kam shërbyer. Prandaj, falënderimi ju takon qytetarëve dhe strukturave tona që me zemër me kanë mbështetur në vazhdimësi, të cilëve edhe sot ju garantojë që pavarësisht sfidave, do të jem përherë në funksion të tyre, në funksion të LDK-së dhe përmes saj në funksion të shtetit të Kosovës. Nuk ka forcë që na ndal nga rruga e jonë e drejtë dhe ne jemi të palekundur në përcaktimin tonë!
Zoti na bekoftë në këtë rrugëtim!