Shkëlqen PSG, fiton 4-0 ndaj Rennes

E publikuar: 06/11/2016 23:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

4 gola për të barazuar Monacon në kuotën 26 pikëve dhe për ta ngushtuar përkohësisht në 3 pikë diferencën në klasfikimin e Ligue 1 me Nicën që kryeson. Paris Saint Germain shpërthen në sfidën ndaj Rennes. Në Parc des Princes të besuarit e Unai Emery triumfuan me rezultatin 4-0 duke shfaqur potencialin e tyre të vërtetë përballë një skuadre të vështirë si Rennes. Autogoli i zviceranit Gelson Fernandes në minutën e 31-të i hapi rrugën fitores së skuadrës kryeqytetase.

Nuk vonoi shumë dhe kampionët në fuqi gjetën edhe golin e avantazhit të dyfishtë me të përhershmin Edinson Cavani. Goli i 11-të për sulmuesi uruguain në këtë sezon me El Matador që tashmë kryeson i vetëm listën e golashënuesve në Le Championat. Në pjesën e dytë Paris Saint Germain shënoi edhe dy herë të tjerë. Fillimisht ishte Adrien Rabiot që i asistuar nga Di Maria e coi rezultatin në 3-0, përpara se Marco Verrati 11 minuta përpara fundit të realizonte edhe golin e 4-t për skuadrën e Unai Emery.