I gjithë projekti emancipues i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do ta kishte vetëm vlerën e fjalës, po të mos ishte për trupin e shpirtin e së vërtetës sonë, që është aktivisti, me sakrificat, përpjekjet dhe idealizmin e tij.
Është puna e angazhimi i pandalur i aktivistëve ajo që e ka bërë Lëvizjen, dhe pa këtë angazhim asnjëra prej betejave tona jo që nuk do të ishte fituar, po as do të ishte luftuar.
Ditët e fundit aktivistët kanë qenë nën shënjestrën e dhunës policore dhe përndjekjes. Qindra prej tyre kanë qenë nëpër burgje.
Prej tyre, ende po mbahen nëpër qeli aktivistët Valdrin Ahmeti, Egzon Balaj, Pajtim Demaj dhe Trim Gashi, të cilëve u është zgjatur vendimi për paraburgim edhe për dy muaj. Të gjithë këta aktivistë janë të pafajshëm. Ata janë në burg vetëm për shkak të faktit që janë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Familjet e këtyre aktivistëve nuk do t’i kenë ata pranë në periudhën festive të fundvitit. Shokët e shoqet e tyre nuk i kanë pranë për punët e përditshme. Të gjitha këto, vetëm për shkak të hakmarrjes joligjore e jolegjitime të qeverisë Mustafa-Thaçi, së cilës po i afrohet fundi, thuhet në njoftim për media.
Lirojini aktivistët. Qeverisë policore i mbeten vetëm pak ditë.