Shkarkohet ministri serb që kërkoi vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë

E publikuar: 11/07/2023 20:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Radeta Basta

Asambleja serbe ka votuar për shkarkimin e ministrit të Ekonomisë, Radeta Basta, gjatë seancës të mbajtur më 11 korrik.

Si ministër në Qeverinë serbe, Basta ka avokuar për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, duke deklaruar se Serbia po paguan çmim të lartë duke mos vendosur sanksione ndaj Moskës.

Serbia është një nga shtetet e pakta në Evropë që ende nuk ka sanksionuar Rusinë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Në fund të qershorit, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, i propozoi Parlamentit që të shkarkojë ministrin.

Basta u zgjodh ministër i Ekonomisë si pjesëtar i koalicionit të Partisë Socialiste të Serbisë, lideri i të cilës është ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq. Në këtë koalicion bën pjesë edhe partia Serbia e Bashkuar.

Më 20 qershor, Basta njoftoi se kishte regjistruar lëvizjen Rruga Evropiane (PEP) dhe tha se shumë shpejt kjo lëvizje do të shndërrohet në parti dhe do të garojë në zgjedhjet në të gjitha nivelet.

Po të njëjtën ditë, lideri i Serbisë së Bashkuar, Dragan Markoviq Palma tha se Bastës i është dhënë një afat që të japë dorëheqje nga të gjitha pozitat partiake. Ai tha se kërkesa për shkarkimin e Bastës po ashtu është dërguar në Qeveri. /REL