Shkarkohet Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës

E publikuar: 24/04/2020 19:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, mori vendim që t’ia ndërpresë kontratën Kryeshefit Ekzekutiv, Bedri Istrefit.

Përveç kësaj, u morën edhe këto vendime:

– Ndërprerjen e Kontratës së Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit.

– Ndërprerjen e Kontratave të dy Zëvendës Kryeshefave Ekzekutiv.

– Emërimin e Ushtrueses së Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv.

– Emërimin e Ushtruesit të Detyrës së Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit.

– Të shpallet konkursi për rekrutimin në pozitët e Kryeshefit Ekzekutiv dhe Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit.

“Sa i përket dy pozitave të Zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv, mbetet që bordi të shqyrtojë edhe njëherë nevojën dhe efektshmërinë e këtyre pozitave në javët në vazhdim”.

“Njëherit, bordi vendosi që t‘u bëhet ftesë Shoqërisë Civile dhe Ambasadës Angleze që të marrin pjesë në procesin e rekrutimit në këto pozita për të siguruar një profesionalizëm dhe transparencë të plotë të këtij procesi”.

“Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve siguron opinion dhe çdo punonjës të Telekomit të Kosovës se do të marrë çdo vendim sipas kompetencave që ka për t‘u siguruar një organizim i mirëfilltë i Telekomit, ku secili punonjës të jetë në nivel të detyrës dhe përgjegjësive që i ngarkohen”, thuhet në komunikatën e Bordit të Përkohshëm të Drejtorit të Telekomit të Kosovës.

Këto vendime, sipas tyre, erdhën pas diskutimit të rendit të ditës lidhur me shqyrtimin e pozitave të Zyrtarëve të Lartë të Telekomit të cilat kanë ndikim direkt në performancë dhe duke pasur parasysh gjendjen e rëndë financiare të kësaj ndërmarrjeje publike, me qëllim të ndaljes së përkeqësimit të gjendjes financiare dhe tejkalimit sa më të shpejtë të kësaj gjendjeje.