Tre inspektorë të burgut të Shën Kollit janë shkarkuar nga detyra mëngjesin e sotëm pasi nuk informuan Shërbimin e Kontrollit të Burgjeve për lirimin e shqiptarit nga Kosova Shuaip Zukaj të dënuar me 20 vjet burg për vrasje.
Ata janë Petrit Hysa, Laert Tice dhe Marsida Meqemeja
Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani tha se për këtë çështje ka nisur një hetim nga Prokuroria e Lezhës.
“Unë kam marrë dijeni për çështje e Shënkollit që ditën e premte. Unë nuk shqetësohem për të bërë lajme, por për të bërë punën. Kjo është arsyeja pse kam mbajtur një qëndrim të tërhequr për këtë çështje, pasi respektoj deri në pikën e funtin kontributin e prokurorisë së Lezhës. Kjo çështje meriton një hetim të plotë, dhe një ndërhyrje serioze. Sa i takon pjesës së shkarkimeve, nuk më dridhet dora fare, jo vetëm për tre inspektorët e SHKB që kanë qenë në gjumë aty, por edhe gjithë drejtorinë, është minimumi që duhet të bëj t’i shkarkoj nga puna. Pres hetimet e prokurorisë”, tha ministri Manjani.
Shuaip Zukaj nga Deçani i Kosovës përfundoi dënimin në burgun e Lezhës për një vepër penale të kryer në Shqipëri. Por skandali është se ai duhej të ekstradohej në Kosovë në përfundim të vuajtjes së dënimit, pasi atje rezulton me një tjetër dënim 20 vjet për vrasje.
Drejtoria e Burgjeve në një reagim gjatë ditës së djeshme tha se në vendim nuk ishte shkruar që Zukaj duhet të ekstradohej, ndaj ai është lënë i lirë,. Në Shqipëri ai vuajti dënimin për akuzën e vrasjes të mbetur në tentativë.
Prokuroria e Lezhës ka nisur menjëherë hetimet, pasi dyshon se ai është liruar jashtë çdo procedurë ligjore. /Gazeta Express/