Një skitar është lënduar gjatë ditës së sotme në zonën “Foleja e Shqiponjës” në Brezovicë, pas një oretku të borës që e shkaktoi bashkë me dy të tjerë teksa po skijonin në këtë zonë e cila nuk është e lejuar për skijim.
Lajmin për Kohën e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur po ashtu se Shërbimi i Shpëtimit ka arritur ta transportojë personin e lënduar te ekipet mjekësore.
“Rreth orës 12:30, tre skiatorë që po skijonin jashtë shtigjeve të lejuara në zonën “Foleja e Shqiponjës” shkaktuan një ortek të vogël, ku njëri prej tyre u lëndua lehtë në gju. Shërbimi i Shpëtimit reagoi menjëherë dhe e transportoi të lënduarin në ambulantën e Hotel Molikës, ku mori ndihmën e parë”, thuhet në njoftimin e tij.
Zëdhënësi Veseli ka theksuar se zona në fjalë njihet edhe për incidente të mëhershme andaj skijimi aty është i ndaluar.


















