“Shiu është bereqet” – Kjo ishte përgjigjja e Kurtit për dështimin e konstituimit të Kuvendit

E publikuar: 24/04/2025 10:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Shiu është për bereqet”, kaq ka thënë kryeministri Kurti kur është pyetur për dështimin për herë të pestë të konsituimit të Kuvendit të Kosovës.

Kurti u pyet për këtë çështje derisa mori pjesë në përurimin e një ure në Rogovë të Hasit.

“Ne ndërtojmë ura, banorët e Rogovës punojnë tokën e shiu është për bereqet”, tha shkurt Kurti para gazetarëve.

Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ende nuk ka arritur të konstituohet.

Një tentativë e pestë në këtë drejtim ka dështuar dje, ndërkohë që seanca pritet të vazhdojë nesër. Kjo do të jetë seanca e gjashtë çdo 48 orë, që nga 15 prilli.

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje vazhdon të mbetet emri i Albulena Haxhiut. Në tri votime, ajo s’ka marrë votat e nevojshme. Nga 61 sa duhen, Haxhiun e kanë votuar vetëm 57 deputetë.

Partitë e tjera, PDK, LDK dhe AAK kanë kërkuar nga Vetëvendosje që të gjejnë një kandidat unifikues për këtë post, ngase siç kanë thënë ata emri i Albulena Hahxiut, për ta është i papranueshëm.