Tregu i smartfonëve po kalon momente të vështira. Sipas një raporti të publikuar ditën e sotme, firma analitike IDC tha se 375.4 milion pajisje janë shitur gjatë tre mujorit të katërt të 2018-ës, një rënie me 4.9% krahasuar me vitin e kaluar.
Ky është tre mujori i pestë me radhë i cili shënon rënie dhe 2018-ta është viti më i keq i shitjeve të smartonëve.
Gjatë 2018-ës ato ranë me 4.1% në 1.4 miliardë njësi.
Kina pësoi rënien më të madhe. Vendi i cili numëron 30% të konsumit të smartfonëve raportoi rënie të volumit të shitjeve me 10%.
Samsung është prodhuesi më i madh në botë për nga volumi duke shitur 70.4 milion smartfonë tre mujorin e fundit të 2018. Krahasuar me vitin e kaluar ka shitur 5.5% më pak.
Apple që vjen në vendin e dytë shiti 68.4 milion telefon me një rënie kolosale prej 11.5%.
Vendin e tretë e zë Huawei me 60.5 milion smartfonë të shitur por me një surprizë krahasuar me vitin e kaluar.
Kompania është rritur me 43.9%, një rekord më vete për kompaninë. Pesëshen e parë e mbyllin Oppo dhe Xiaomi të cilët shitën 29.2 dhe 28.6 milion smartfonë respektivisht.
Pesë kompanitë e para së bashku konsoliduan pozitat e tyre. Ato përbëjnë 69% të telefonë të shitur. /PCWorld Albanian