Shitja e barnave pa recetë, problematike

E publikuar: 08/08/2015 12:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në barnatoret e Kosovës, barnat në përgjithësi, përfshirë edhe ato narkotike dhe psikotrope, shiten pa recetën e mjekut.

Këtë e thonë vetë zyrtarë të lartë institucionalë, sipas të cilëve, kjo çështje do të rregullohet me hyrjen në fuqi të Ligjit për sigurime shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se çështja e shitjes së barnave pa recetën e mjekut është një problematikë që është trajtuar shumë herë dhe shumë vite, por që sipas tij ende nuk është arritur kontroll i kënaqshëm.

“Duhet punuar shumë në krijimin e rrethanave që nuk mund të jepet një narkotik pa u evidentuar. Janë bërë përparime të shumta dhe është ngritur çështja e recetave, egzistimi i tyre ose jo nëpër institutcione publike”.

“Por, mund të them që në përgjithësi institucionet publike janë të pajisura me lloje të recetave që ndoshta tash për tash nuk i përmbushin gjitha standardet e kërkuara, por me kalimin e kohës dhe themelimin e fondit për sigurime shëndetësore sigurisht që edhe çështja e recetave do të zgjidhet”, bën të ditur zoti Rrahmani.

Derisa Astrit Ilazi zyrtar i lartë i departamentit për narkotikë në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale, ka thënë se që nga muaji i kaluar ka filluar kontroll i shtuar i shitjes së barnave narkotike dhe psikotrope, duke shpërndarë receta në gjitha qendrat e mjekësisë familjare.

“Kemi filluar prej muajit tetor t’i vizitojmë të gjitha barnatoret private në rajonin e Prishtinës, që operojnë me barna narkotike, dhe deri tani kanë punuar sipas legjislaturës egzistuese sipas ligjit”.

“Shitja e substancave psikotrope janë dhënë pa recetë, por nga muaji i kaluar, i kemi shpërndarë në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në tërë Kosovën, recetat për barnat narkotike dhe psikotrope dhe nga tash nuk besoj që këto barna do të shiten pa recetë”, thotë Ilazi.

Derisa ministri Rrahmani ka shtuar se megjithë problematikën e theksuar të shitjes së barnave pa recetë, kjo dukuri po shënon rënie.

“Besoj që edhe do të vendoset në kontrollë më strict dhënia e barnave narkotike pa recetë. Unë mund të them që dukuria e dhënies pa recetë është zvogelu dukshëm dhe rritja e kontrollës është rritur”, thekson Rrahmani.

Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse me hyrjen në fuqi të Ligjit për sigurime shëndetësore, a do të respektohet edhe zinxhiri i protokollit të barnave./rel/